“Prokuroria provoi dënimin e gjyqtares Irena Gjoka”/ PD shkresë KLGJ dhe ILD: Nuk mund të vazhdojë të qëndrojë në detyrë
Grupi parlamentar demokrat, përmes një shkrese dërguar Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, kërkon që gjyqtarja e Gjykatës së Posacme Irena Gjoka e cila rezulton e dënuar në shtetin grek, të mos vazhdojë më detyrën e saj.
Në shkresën e firmosur nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, thesohet se “përmes këtij konfirmimi të autoriteteve përgjegjëse rezulton se gjyqtarja Irena Gjoka, ndodhet në kushtet e papajtueshmërisë me funksionin kushtetues të gjyqtarit, në kuptim të nenit 6/1 të Kushtetutës, ligjit nr. 95/2016 dhe ligjit nr. 96/2016, si dhe ka fallsifikuar aktet, duke kryer një tjetër krim, në mënyrë të përsëritur, për shkak të mosdeklarimit të urdhër dëbimeve dhe vendimit gjyqësor të dënimit penal. Ky fakt ka krijuar një gjendje paligjshmërie dhe antikushtetutshmërie në sistemin gjyqësor.”.
Ky konstatim duhet të kishte ndodhur, jo më vonë se 2 javë nga marrja e njoftimit për shkakun e pazgjedhshmërisë/papajtueshmërisë, por deri më tani Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë, nuk kanë vepruar, edhe pse Prokurori i Përgjithshëm prej muajsh publikisht dhe në seancat dëgjimore në Kuvendin e Shqipërisë ka informuar se fakti i dënimit ishte konfirmuar nga autoritetet përkatëse greke. ”- thuhet në letrën e firmosur nga Gazment Bardhi.
Në përfundim, opozita thekson se: “Për këtë arsye, duke respektuar parimin e pavarësisë së institucioneve kushtetuese të drejtësisë dhe duke shmangur çdo ndërhyrje në punën Tuaj, ne deputetët e opozitës në Kuvend, në përputhje me parimin e ndarjes dhe të balancimit të pushteteve, parimit të shtetit ligjor, kontrollit kushtetutes mbi zbatimin e ligjit, si dhe të përgjegjësisë sonë si deputetë për të mbrojtur interesin e shtetit shqiptar, kushtetutshmërinë dhe ligjshmërisë në sistemin gjyqësor, kërkojmë nga ana e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë që të veprojnë në kohë, menjëherë, për të zbatuar detyrimin kushtetues dhe ligjor, të konstatimit të mbarimit të statusit të magjistratit për gjyqtaren e posacme znj. Irena Gjoka.
Për më tepër, pas përfundimit administrativ të Prokurorit të Përgjithshëm dhe njoftimit të rezultateve Këshillit të Lartë Gjyqësor, ky i fundit sipas nenin 66 të ligjit nr. 96/2026, duhet të deklarojë me vendim mbarimin e statusit të magjistratit, jo më vonë se 2 javë nga marrja e njoftimit për shkakun e pazgjedhshmërisë dhe papajtueshmërisë.
Përsa më lart, çdo vonesë nga ana juaj shkakon pasoja të rënda për interesin publik, për vetë sistemin e drejtësisë, besimin e qytetarëve tek institucionet e pavarur të drejtësisë dhe për interesat financiare të shtetit shqiptar.”.
Në shkresë citohen në mënyrë të plotë dispozitat kushtetuese dhe dispozitat e 3 ligjeve të miratuara me shumicë të cilësuar, që ndalojnë një gjyqtar të dënuar me vendim të formës së prerë që të ushtrojë funksionin e gjyqtarit.
Fraksion.com

