AktualitetTë fundit

“Në reanimacion sekondat vrasin”, ikja e dritave në QSUT, mjeku: Krim institucional! U kalua vija e kuqe

Mjeku psikiatër Neli Demi, ka reaguar ashpër pasi QSUT mbeti pa energji elektrike mbrëmjen e së hënës.

Në një reagim në rrjetet sociale, mjeku shkruan se spitali pa energji elektrike nuk mund të quhet defekt teknik, por një krim institucional.

Sipas mjekut, mbrëmë është kaluar vija e kuqe dhe fakti që nuk pati viktima për shkak të mungesës së energjisë elektrike, nuk ishte sukses i sistemit, por fat i verbër.

Nëse pacientët janë nxjerrë në korridore, kjo do të thotë se: sistemet rezervë nuk ekzistojnë realisht, ose janë jashtë funksioni, ose nuk janë testuar kurrë, ose drejtuesit nuk kanë besim te to. Secila prej këtyre do ishte një dështim kriminal në menaxhimin e shërbimeve jetike.

Mos na flisni për: linja 110 kV, OSHEE, avari të papritura, “ishte për pak minuta”. Në mjekësi “pak minuta” vrasin. Në reanimacion sekondat vrasin. Nëse sot nuk ka viktima, kjo nuk është sukses i sistemit, por fat i verbër. Dhe një shtet që mbështetet te fati për të mbrojtur jetën e qytetarëve nuk është shtet, është rrezik publik. Ky nuk është problem teknik. Ky është problem përgjegjësie penale, administrative dhe morale.

Duhet hetim i pavarur dhe publik, auditim urgjent i sistemeve UPS dhe gjeneratorëve, publikim i menjëhershëm i protokolleve të sigurisë dhe largim i drejtuesve përgjegjës, pa justifikime dhe pa vonesa. Reanimacioni nuk është shërbim “i rëndësishëm”. Është kufiri i fundit mes jetës dhe vdekjes. Kush e ka lënë atë kufi pa energji, ka dështuar në detyrën më bazike të shtetit: mbrojtjen e jetës njerëzore. Dhe për këtë duhet dhënë llogari“-shkruan mjeku në Facebook.

 

Fraksion.com

 

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com