“Vijon turpi, ishte ulur zv/kryeministrja që SPAK i kërkon arrestin”, Shehaj: Po shesin letrën që i ka shkuar edhe Lukashenkos si shpëtim nga drejtësia!
Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka folur për mediat jashtë ambienteve të Parlamentit, duke ngritur akuza të forta ndaj mazhorancës dhe kryeministrit Edi Rama, në lidhje me çështjet e drejtësisë dhe hetimet e SPAK.
Ai vuri theksin te data 22 janar, kur Gjykata Kushtetuese pritet të marrë një vendim që, sipas tij, do të jetë historik për vendin. “Në datën 22 janar GJK duhet të vendosë nëse jemi të gjithë të barabartë para ligjit, nëse një pushtetar që kapet duke vjedhur duhet të shkojë në burg apo jo”, tha Shehaj.
Shehaj e cilësoi situatën si një përballje mes pandëshkueshmërisë dhe drejtësisë, duke theksuar se qytetarët shqiptarë kërkojnë fundin e korrupsionit. “Ose do vijojmë të jemi një vend i korruptuar ku ata që vjedhin nuk ndëshkohen, ose do marrë fund pandëshkueshmëria në Shqipëri. Të gjithë qytetarët i duan të korruptuarit në burg”, përfundoi ai.
Fraksion.com

