“Operacioni i SPAK u dekonspirua”, Këlliçi: Call Center-at, mashtrime miliona euro. E dinin se do të kishte lëvizje dhe morën masat
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar ashpër në një postim në Facebook lidhur me aksionet e Antimafias italiane kundër krimit të organizuar në Shqipëri, duke akuzuar për dekonspirim të hetimeve.
“Padyshim, Antimafia italiane duhet të jetë shumë e zhgënjyer kur sheh se si hetimet e saj shumë mujore apo disa vjeçare, zhbëhen në Shqipëri për shkak të dekonspirimit,” shkruan Këlliçi, duke e cilësuar këtë si një goditje të madhe për zbatimin e ligjit, sigurinë dhe imazhin ndërkombëtar të vendit.
Deputeti akuzoi gjithashtu qeverinë dhe personazhet e saj se “kapardisen me propagandë” ndërsa realisht po kthejnë Shqipërinë në një vend ku hetimet e rëndësishme komprometohen. Ai theksoi se edhe struktura të tjera të lidhura me Edi Ramën dhe grupet kriminale kanë favorizuar ikjen e të dyshuarve.
Reagimi i Belind Këlliçit:
Me Ramën u bëmë vendi i aksioneve të dekonspiruara!
Brenda pak muajsh, 2 aksione të nisura nga Antimafia italiane, për krimin e organizuar në Shqipëri, janë dekonspiruar. Në vjeshtë, i iku ligjit një prej eksponentëve kryesorë të krimit të organizuar në Durrës.
Këtë fundjavë, call-centerat kryesore të biznesit mashtrues me dhjetra milionë euro, e dinin se do të kishte lëvizje dhe morën masat.
Padyshim, antimafia italiane duhet të jetë shumë e zhgënjyer kur sheh se si hetimet e saj shumë mujore apo disa vjeçare, zhbëhen në Shqiperi, për shkak të dekonspirimit.
Kjo është një goditje e madhe jo vetëm për zbatimin e ligjit dhe sigurinë këtu, po dhe për imazhin e vendit tonë.
Me propagandë, Edi Rama dhe elisat e tij kapardisen si sot, sikur i kanë çuar kreditet në nivele të panjohura më parë. Në realitet, ata nakthyen në vendin e dekonspirimit. Duke na bërë partnerë të pabesueshëm.
Edhe Gysi, koordinatori i Ramës për bandat e aferat e dinte se duhej të ikte, dhe askush nuk po e gjen. Edhe pse ka kompromentuar sigurinë kombetare e ka krijuar grup të strukturuar kriminal, ai që është dhe somelieri personal i Ramës, i shpetoi ligjit.
Ky pra është imazhi dhe fytyra që Edi Rama i ka dhënë vendit. Të tjerat, përralla të sforcuara që duke i treguar për 13 vite me radhë, nuk vënë më në gjumë as militantin më kamikaz të rilindjes.
Të shtunë, datë 24 janar, ora 17:00, të gjithë në protestë!
Fraksion.com

