BE: Mbledhje e posaçme pas kërcënimeve të Trumpit
I pyetur për kërcënimet e reja me tarifa doganore nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, deklaroi se BE-ja mbron fuqimisht të drejtën ndërkombëtare. “Aktualisht po koordinoj një përgjigje të përbashkët nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian për këtë çështje”, vazhdoi ai.
Presidenti Trump kritikoi ashpër dërgimin e trupave ushtarake nga disa vende të NATO-s në Groenlandë dhe deklaroi në platformën e tij Truth Social se duke nisur nga 1 shkurti Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Holanda dhe Finlanda do të përballen me tarifa doganore prej dhjetë përqind.

BE: Mbledhje e posaçme
Përfaqësuesit e shteteve anëtare të BE-së do të takohen gjatë pasdites së të dielës (18.01) në një seancë të posaçme për të diskutuar për deklaratat e Trumpit. Presidenca aktuale qipriote e Këshillit njoftoi se është thirrur një takim i jashtëzakonshëm në nivel ambasadorësh. Ende është e paqartë nëse do të diskutohen kundërmasa të mundshme.
Starmer: Tarifat janë “krejtësisht të gabuara”
Kryeministri britanik Keir Starmer tha se është “krejtësisht e gabuar” të vendosen tarifa doganore ndaj aleatëve që janë të përkushtuar ndaj “sigurisë kolektive të aleatëve të NATO-s”. “Sigurisht, ne do ta diskutojmë këtë drejtpërdrejt me qeverinë amerikane”, tha Starmer në një deklaratë. Qëndrimi britanik ndaj Groenlandës është i qartë: ishulli është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës dhe e ardhmja e tij është “çështje e groenlandezëve dhe e danezëve”.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, deklaroi se kërcënimet e Trumpit janë “të papranueshme” dhe njoftoi një përgjigje të përbashkët nga ana e vendeve evropiane.
Solidaritet me Danimarkën dhe Groenlandën
Kryeministri suedez, Ulf Kristersson, njoftoi gjithashtu se do të zhvillojë “bisedime intensive” me vendet e prekura. Ai sqaroi më tej: “Ne nuk do të frikësohemi”.
Edhe Norvegjia shprehu solidaritetin e saj Danimarkës pas kërcënimeve të fundit të Trumpot. “Ne mendojmë se çështja e tarifave doganore nuk ka vend në këtë kontekst”, deklaroi Ministri i Jashtëm norvegjez Espen Barth Eide. Ai shtoi se ekziston një marrëveshje e gjerë brenda NATO-s se siguria në Arktik, përfshirë Groenlandën, duhet të forcohet.
Fraksion.com

