“Bënë akuza për krime kundër njerëzimit”, Berisha kujton historinë e PD-së: U ngritëm nga zero, ndërtuam Shqipërinë
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një takim me demokratët në Laprakë sot në 17 janar, komentoi situatën politike dhe ekonomike të vendit, duke akuzuar qeverinë për korrupsion dhe për largimin e shqiptarëve nga atdheu. “Këto individë në qeveri ushqehen me paratë e vjedhura tuajat. Rama di vetëm të largojë shqiptarët nga vendi. Qeveritarët dinë vetëm të vjedhin, kanë larguar shqiptarët nga atdheu”, deklaroi Berisha, duke u shprehur se PD ka kaluar situata të vështira dhe ka mbetur e palëkundur.
Ai kujtoi periudhën pas 1997-ës, kur sipas tij, PD nisi nga zero dhe ndërtoi Shqipërinë. “U përpoqën të na zhdukin, por u ngritëm si feniksi nga hiri. Në 1997 ne nisëm nga zero dhe u ngritëm, sepse u treguam të ndershëm me qytetarët. Ne nuk vodhëm asnjë para nga qytetarët e varfër të vendit”, tha ai. “Rivali im iu thoshte qytetarëve se do ua kthej borxhin, ndërsa ne nuk e premtuam diçka të tillë, pra ne ishim realist. Ne qëndruam të hekurt në një parim të drejtë e të ndershëm”, shtoi Berisha.
Berisha gjithashtu foli për akuzat që iu bënë PD-së gjatë periudhave të vështira, duke i cilësuar të pabaza dhe të motivuara nga urrejtja. “Bënë akuza për krime kundër njerëzimit vetëm nga urrejtja që kishin”, u shpreh ai.
Kreu i PD-së kujtoi edhe zgjedhjet e vitit 2001, duke pretenduar se fitoret e tyre u plaçkitën. “Në 2001, PD fitoi zgjedhjet, por i plaçkitën. I morën zgjedhjet, por ne mbrojtëm votën. Një komunitet ndërkombëtar përmbysi raportin dhe triumfuan. Ata që erdhën me dhunë, i përzumë me votë”, tha Berisha.
Ai vuri në dukje se gjatë tetë viteve në pushtet, PD arriti të transformojë vendin dhe të sjellë ndryshime të rëndësishme. “Në tetë vite Shqipëria pësoi ndryshime thelbësore. Një parti që dukej sikur po zhdukej, erdhi dhe njëherë në pushtet dhe transformoi Shqipërinë. Ne jemi të pamposhtur, kjo parti është parti e njerëzve që nuk mposhten”, u shpreh ai.
Berisha gjithashtu kritikoi qeverinë aktuale dhe përpjekjet e saj për të izoluar opozitën. “Edi Rama donte të zhdukte opozitën me çdo kusht, u përpoqën që të na izolojnë pesë pashë nën, por ne nuk u mposhtëm. Sot, në dy ditët më parë, u përpoqën të na izolojnë si kurrë më parë, por jemi forca politike më e mbështetur në Europë”, deklaroi Berisha.
Ai përmendi gjithashtu rezolutat ndërkombëtare që sipas tij dënojnë regjimin e Edi Ramës, duke i krahasuar me atë të Maduros në Venezuelë. “Janë shtatë rezoluta, që janë në favorin tonë, që damkosin regjimin e Edi Ramës, njësoj si regjimin e Maduros në Venezuelë. Këto rezoluta damkosin zgjedhjet si të manipuluara, e cilësojnë vendin si narko-shtet”, theksoi Berisha.
Në fjalimin e tij, Berisha rikujtoi vazhdimisht vlerat e Partisë Demokratike dhe betejën e saj për të mbrojtur votën dhe interesin e qytetarëve. Ai theksoi se, pavarësisht sfidave dhe akuzave, PD mbetet e fortë dhe e pamposhtur, dhe se kauza e saj është ajo e shqiptarëve dhe e demokracisë.
Berisha tha se të gjithë qytetarët duhet të marrin pjesë në protestën kombëtare të Partisë Demokratike. “Të gjithë duhet të marrin pjesë në protestën kombëtare të PD-së. Ne do të përballemi në rrugët dhe sheshet e Tiranës dhe të Shqipërisë, deri në fitoren e Partisë Demokratike. Secili nga ju është më i fortë e më i guximshëm sesa njëqind hajdutë të qeverisë. Rroftë Tirana, rroftë Shqipëria”, tha Berisha.
Fraksion.com

