I mori 8 mijë euro klientit dhe i premtoi se do e lironte nga burgu, GJKKO dënon avokatin Besart Logu
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur kërkesën për gjykimin e çështjes penale nr. 242 të vitit 2024, në ngarkim të të pandehurit Besart Logu, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, sipas nenit 245/1/4 të Kodit Penal.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata ka vendosur:
Uljen e dënimit me 1/3, duke e dënuar me 1 vit e 4 muaj burgim, sipas nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale.
Pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim, duke e vënë të pandehurin në provë për një periudhë prej 2 vjet e 8 muaj, me kusht që të mos kryejë vepra të tjera penale dhe të mbajë kontakte me shërbimin e provës, në përputhje me nenin 59 të Kodit Penal.
Heqjen e së drejtës për të ushtruar profesionin e avokatit për një periudhë prej 9 muajsh, sipas nenit 39 të Kodit Penal.
Ngarkimin e të pandehurit me shpenzimet procedurale të kryera gjatë fazës së hetimit dhe gjykimit.
Provat materiale që përdorën në gjykim përfshijnë DVD dhe CD të përgjimeve ambientale audio dhe video të datave 09.12.2024 dhe 13.12.2024, të cilat janë bërë pjesë e fashikullit të gjykimit.
Ky vendim mund të apelohet në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 15 ditëve nga dita e marrjes dijeni të vendimit të arsyetuar.
Fraksion.com

