Hakerimi i materialeve të SPAK, Berisha: Rama, personi që mund ta ketë urdhëruar
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur këtë të premte, 16 janar, konferencë me gazetarët nga selia blu.
Berisha u ndal tek hakërimi i materialeve të Prokurorisë së Posaçme, duke marrë për bazë një mesazh i ardhur tek kryedemokrati lidhur me “skemën e hakërimit”.
“Përshëndetje doktor, një informacion të veçantë tek dosja e hakërimit të sistemit të SPAK-ut. Hakëruesi përmend emrin e Ramës si personi që mund të ketë urdhëruar hakërimin.
Pjesë nga dosja: Me datë 12 shkurt 2025, ora 21:17, Arnold Rrokaj, i dërgoi Zambak Gjonit një foto që duket sifaqe interneti, e cila mund të aksesohen sistemet e SPAK-ut. Më pas, ai dërgon një sms me përmbajtjen ‘a mos e hapsha dot’. Më pas Arnold Rrokaj i dërgon sërish sms Zambak Gjokajt se ‘do t’i shkruajë Ramës dhe hajt t’ua bëjmë robt. Pra, Arnold Rrokaj e kishte numrin e Ramës.’”, lexon Berisha denoncimin.
Duke vijuar me këtë denoncim, Berisha shprehet se krijohet bindja e ndërhyrjes së paautorizuar, me pretendimin e shpërndarjes së informacionit tek palë të treta.
“Dhe Arnold Rrokaj sapo të hapte faqen, do i dërgonte Ramës të dhënat e faqes, hajt t’u bëjmë këtë dhe atë, me gjuhën e Lubisë, se këtë gjuhë kishin ata me njëri-tjetrin, jo pallosh e kështu e ashtu. Nga përmbajtja e këtij komunikimi, krijohet bindje e arsyeshme se veprimet e të hetuarit kanë të bëjnë me ndërhyrje të paautorizuar në sistemet e SPAK-ut, me qëllim dëmtimin e tyre përmes shpërndarjes së tyre tek persona të tretë. Duke ia dërguar Ramës dokumentet, atij do ia dërgoj, thotë. Në vijim, me datën 21 shkurt, pra 10 ditë më vonë, i hetuari Zambak kërkon informacion edhe për arrestimin e shtetasit Engjëll Agaçi. Pra, Engjëll Agaçit i kishte urdhër-arresti nga Antimafia Italiane apo shkaqe të tjera. Arnoldi shprehet: Ja ta shikoj njëherë, po ç’rëndësi ka kush prokuror e ka, nga këta që kam unë, nuk e ka njeri. Se këta i paskan pasur të ndarë prokurorët se cilët do të hakerojnë”, tha ai.
Bazuar në këtë rast, Berisha kërkon sërish dorëheqjen e Edi Ramës si kryeministër.
“Ky përbën një nga krimet më të shëmtuara dhe më të rënda. Ky është implikim madhor i Edi Ramës dhe unë kërkoj dorëheqjen e tij urgjente. Të dashur qytetare dhe qytetarë, shikoni pra se si kreu i organizatës kriminale të ekzekutivit shqiptar kërkonte të vidhte dokumentet sekrete të hetimit vetëm e vetëm që të mund të kontrollonte këtë proces në mënyrat e tij. E dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë akt kriminal.
Edhe njëherë kërkoj largimin e menjëhershëm nga detyra të kryeministrit. Sikundër u bëj thirrje shqiptarëve të marrin në dorë fatet e ligjit dhe Kushtetutës në këtë vend sepse Edi Rama po kërkon t’i shkelmojë, t’i nënçmojë, t’i përdorë ato për qëllime krejtësisht kriminale të vetat“, u shpreh ai.
Fraksion.com

