Arratisja e Ndocit, arrestohet ish-drejtori i burgut të Durrësit
Pas arratisjes së Altin Ndocit, është arrestuar ish-drejtori i burgut të Durrësit, Indrit Cërloj.
Paraprakisht, raportohet se ai është vënë në pranga për “shpërdorim detyre”. Siç bën me dije gazetarja e Klan News, Glidona Daci, Prokuroria e Durrësit ka lëshuar masën e “arrestit në shtëpi” për mjeken e spitalit të Durrësit.
Cërloj është shkarkuar dy ditë më parë nga posti që mbante me urdhër të Ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari, ndërsa është pezulluar nga detyra gjithë zinxhiri komandues i burgut.
Kujtojmë se Ndoci, një person me rrezikshmëri të lartë, arriti të arratisej nga spitali i Durrësit më 13 janar.
Mes të prangosurve janë zv.shefi i policisë, 5 efektivët që shoqëronin Ndocin në Spitalin e Durrësit, specialistja e informacionit dhe kryeinfermieri. Të gjithë ata dyshohet se kanë konsumuar veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.
Për dërgimin e Ndocit në spital, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka njoftuar më herët se nuk janë respektuar as procedurat për raste të tilla, ndaj është vendosur të shkarkohet i gjithë zinxhiri komandues i Burgut të Durrësit.
“Nga verifikimet paraprake rezulton se, për shoqërimin e planifikuar, IEVP Durrës nuk ka informuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Komisariatin e Policisë Durrës, si dhe nuk ka raportuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve as planifikimin dhe as realizimin e vizitës mjekësore, në kundërshtim me aktet nënligjore në fuqi. Gjithashtu, rezulton se nuk janë respektuar procedurat standarde për shoqërimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve.“
Shkelja e procedurave të shoqërimit u vu re dhe nga pamjet e kamerave të sigurisë, ku Altin Ndoci shfaqet teksa zbret nga autoambulanca për t’u futur në spital i shoqëruar nga efektivët, por pa pranga në duar.
Të njëjtën pamje ka edhe kur arratiset, teksa kamerat e kanë fiksuar duke vrapuar sërish i pa prangosur.
Pasi arriti të dalë nga rrethimi i spitalit, ai u largua me një automjet tip Audi ngjyrë e zezë, e cila ishte në pritje të tij. Nga aty, më pas, 39-vjeçari ka lëvizur në drejtim të paditur.
Për kapjen e 39-vjeçarit, policia ka ushtruar kontrolle të shumta në disa qytete, mes tyre Kavajë, Tiranë dhe Elbasan, ku ka dyshime se mund të jetë larguar për t’u fshehur Altin Ndoci.
Fraksion.com

