Arratisja e Altin Ndocit nga Spitali i Durrësit, arrestohen 8 persona; mes tyre kryeinfermieri dhe shefi i policisë
8 persona janë arrestuar në Durrës pas arratisjes së Altin Ndocit ditën e djeshme.
Mes të arrestuarve janë dhe kryeinfermieri dhe Zëvendës shefi i komanduar i policisë.
Në pranga kanë rënë Aulon Çuko, kryeinfermier në spitalin e Durrësit, Desdemon Pazaj, zëvendësshef i Policisë dhe pesë efektivë policie që shoqëronin të burgosurit, Dorjan Saraçi, Sal Ferollari, Preng Marvataj, Fatjon Baçi, Aranit Çela.
Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme kur Altin Ndoci, i akuzuar për një sërë veprash të rënda penale, përfshi vrasje dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale, u arratis ndërsa shoqërohej për një vizitë mjekësore në spitalin e Durrësit.
Altin Ndoci po gjykohet për një sërë veprash penale të rënda dhe në dosje të ndryshme. Së fundmi, ai u dërgua për gjykim nga SPAK në tetor 2025, si pjesë e organizatës kriminale për të cilën akuzohen vëllezërit Çopja.
Si ndodhi arratisja?
Ndoci ishte i arrestuar si pjesë e operacionit “Plumbi i Artë” dhe konsiderohet si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, pasi akuzohet se ka marrë pjesë në masakrën e Bradasheshit, ku mbetën të vrarë tre persona.
Ndoci ka gënjyer policin qe po e ruante, duke i thënë se donte të shkonte në tualet dhe ka arritur t’ia mbathë. Kur e ka parë që po largohej, efektivi ka qëlluar në ajër po pa arritur ta ndalojë.
Pasi arratisjes nga spitali, të arrestuarin në parkim e priste një “Audi A7”, me të cilën ai arriti të largohej nga spitali. Targat e automjetit tip “Audi A7 rezultojnë të jenë denoncuara, të vjedhura pak ditë më parë. Autorët që ndihmuan në arratisjen e Ndocit planifikuan në detaje planit, në mënyrë që askush të mos dyshonte, pasi modeli i makinës që u vodhën targat dhe makina që u përdor për arratisje është i njëjtë model tip “Audi A7”.
Policia e Durrësit dhe ajo e Tiranës dyshojnë se autori fshihet aktualisht në kryeqytet.
Kush është Altin Ndoci?
Altin Ndoci ndodhej në qeli që prej majit të vitit 2020 i arrestuar me urdhër të SPAK për dosjen “Plumbi i Artë”. Atë kohë ai u akuzua për vrasjen e katër personave: dy vëllezërve, Besmir Haxhia e Viktor Haxhia, si dhe të Dorian Shkoza dhe Anxhelo Avdia. Akuzat u ngritën pas dëshmive të dhëna nga ish-bashkëpunëtori i drejtësisë, Klevis Alla. Por pasi thëniet e tij rezultuan të pavërteta, Ndoci u shpall i pafajshëm.
Megjithatë ai nuk doli nga burgu pasi emri i tij u përmend nga Nuredin Dumani si i përfshirë në vrasjen e Andi Zylyfit dhe për disa atentate të tjera, si anëtar i bandës së “Çopjave” në Elbasan. Ndërsa Erion Alibej e ka akuzuar Altin Ndocin si të përfshirë në masakrën e Bradasheshit.
Fraksion.com

