“Po përdor imunitetin për të mbrojtur Lubitë dhe Lindat e tij”, Berisha i drejtohet Ramës: Po pengove drejtësinë do të kesh fatin e Enver Hoxhës
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i ka drejtuar një paralajmërim kryeministrit Edi Rama gjatë një takimi me mbështetësit demokratë në Lezhë, duke e cilësuar atë si “kriminelin më të rrezikshëm” në krye të shtetit.
Ai e akuzoi Ramën se nuk respekton vendimet e drejtësisë dhe se kërkon të shfrytëzojë imunitetin për të mbrojtur zyrtarë të përfshirë në afera, duke përmendur drejtuesen e AKSHI-t dhe zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
“Sot po shfaqet fytyra e vërtetë e Edi Ramës, i cili thotë: ‘Unë nuk i njoh vendimet’. Ai deklaron se do të përdorë imunitetin për të mbrojtur Lubitë dhe Lindat e tij, Lindën e AKSHI-t dhe Lindën e Surrelit,” tha Berisha.
Berisha: Mos harroni kurrë se nuk ka kriminel më të rrezikshëm, hajdut më të madh, askund sesa Edi Rama në qeveri, sesa Taulant Balla në krye të Grupit Parlamentar, sesa Lubi Balluku e të tjerë. Jo, jo, nuk ka asgjë të krahasueshme, asgjë. Duhet t’i shohim gjërat siç janë.
Çfarë bënë ata? Ne i përmbushëm detyrimet tona, mbrojtëm votën, por ditë e natë kemi denoncuar çdo vjedhje dhe çdo shkelje. Tani po faktohen. Sot del fytyra e vërtetë e Edi Ramës dhe thotë: “Unë nuk i njoh vendimet”, thotë se do të përdorë imunitetin për të mbrojtur Lubitë, Lindat e tij, Lindën e AKSHI-t dhe Lindën e Surrelit.
Ai u thotë demokratëve dhe shqiptarëve: “Ju kam vjedhur dhe ju nuk keni ç’të bëni.” Po i them nga Lezha, po pengove drejtësinë, fatin e babait tënd shpirtëror, Enver Hoxhës, do të kesh. Besove se pasi i ke lënë të sëmurët në spitale pa ilaçe, fëmijët në shkolla pa ngrohje, rrogat dhe pensionet më të ulëta në rajon, pasi ke ndërtuar parajsën tënde me paratë e shqiptarëve dhe je kapur me dokumente për të gjitha këto, mendon se do të përdorësh imunitetin? Gjej vrimë miu. Ja ku po ta them, kurrë nuk do ta pranojmë.
Fraksion.com

