Osmani i thotë admiralit të NATO-s se Kosova përballet me rrezikun e “akteve destabilizuese” nga Serbia
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë në një takimi me një admiral amerikan të NATO-s të hënën në Prishtinë se vendi i saj përballet me “rreziqet nga aktet destabilizuese” të Serbisë”, njoftoi Presidenca kosovare.
Osmani e uroi admiralin George M. Wikoff për marrjen e detyrës së komandantit të Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, duke shprehur “besimin e saj të plotë në lidershipin e tij dhe në rolin kyç që kjo komandë luan për sigurinë euroatlantike, stabilitetin rajonal dhe paqen ndërkombëtare”.
Wikoff e pasoi admiralin Stuart B. Munsch në këtë detyrë, i cili e kreu mandatin në nëntor të vitit të kaluar.
“Presidentja Osmani konfirmoi përkushtimin për vazhdimin e bashkëpunimit me KFOR-in he theksoi se Kosova mbetet një partner i besueshëm, i aftë dhe kontribuues për sigurinë dhe stabilitetin rajonal, e përkushtuar fuqishëm ndaj vlerave të paqes, demokracisë dhe sundimit të ligjit”, thuhet në njoftim.
Presidenca nuk dha hollësi lidhur me pretendimet për aktet destabilizuese, por zyrtarët kosovarë e kanë akuzuar vazhdimisht Beogradin për veprime të tilla.
Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë kanë qenë vazhdimisht të larta në vitet e fundit, veçanërisht pas disa incidenteve në veriun e banuar me shumicë serbe.
Në një sulm ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, nga një grup serbësh të armatosur, mbeti i vrarë një rreshter policie dhe tre sulmues.
Kosova e fajëson Serbinë për sulmin dhe kërkon ekstradimin e Radoiçiqit që besohet se endet në Serbi, por Beogradi e ka mohuar të ketë pasur gisht në këtë sulm.
Një vit më vonë, një shpërthim në kanalin jetik të ujit, Ibër-Lepenc, shkaktoi dëme të mëdha, duke e penguar furnizimin me ujë për mijëra banorë dhe për sistemin e ftohjes së dy termocentralet kryesore të vendit.
NATO-ja e shtoi praninë e saj në Kosovë gjatë vitit 2023, pas rritjes së tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe, dhe tani ka 4.649 paqeruajtës nga 33 shtete./REL
Fraksion.com

