AktualitetNATO/BETë fundit

Grënlandë: Evropianët propozojnë rritjen e pranisë së NATO-s

Kërcënimet e Trumpit kundër Grënlandës po shkaktojnë prej ditësh tensione. Tani evropianët propozuan rritjen e pranisë së NATO-s në Arktik. Por Trumpi po e bën veshin të shurdhër.

Pjesë e rëndësishme e territorit të NATO-s

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s,Mark Rutte, tha se të gjithë aleatët e NATO-s janë të një mendjeje për rëndësinë e Arktikut dhe të sigurisë së Arktikut. Rajoni është një “pjesë e rëndësishme” e territorit të NATO-s dhe ekziston rreziku që Rusia dhe Kina të bëhen “më aktive” atje në të ardhmen. “Aktualisht po punojmë për hapat e ardhshëm për të siguruar mbrojtjen e përbashkët ndaj këtij rreziku.” Aleanca, tha ai, nuk kishte qenë “aq shumë” e përfshirë në Arktik në të kaluarën, por me kërkesë të vendeve nordike, anëtare të NATO-s, ajo e ka ndryshuar vitin e kaluar këtë qëndrim.

Edhe Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, deklaroi pas takimit në Uashington me homologun e tij Marco Rubio se çështja e sigurisë në Atlantikun e Veriut duhet të zgjidhet brenda kornizës së NATO-s.

Trumpit nuk i bëjnë përshypje deklaratat e evropianëve

Duket se këto propozime kanë rënë në vesh të shurdhër tek Presidenti i SHBA-së Trump lidhur me pretendimin e tij për Grënlandën. Një gazetar e pyeti Trumpin në bordin e Air Force One, nëse fakti që Britania e Madhe dhe Gjermania po diskutojnë aktualisht plane për rritjen e sigurisë në Arktik brenda kornizës së NATO-s, ndryshon ndonjë gjë në përfytyrimet e tij. Dhe Trumpi tha se ato nuk e ndryshojnë vlerësimin e tij. “Ne flasim për blerje, jo për marrje me qira,” theksoi ai.

Trumpi e bëri të qartë se qëllimi i tij është ta zotërojë Grënlandën për një periudhë afatgjatë. Ai e justifikoi këtë edhe një herë duke pretenduar se përndryshe Kina ose Rusia do ta aneksonin ishullin. “Nëse nuk e marrim Grënlandën, Rusia ose Kina do ta bëjnë këtë, dhe unë nuk do ta lejoj që kjo të ndodhë,” tha presidenti i SHBA-së./DW

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com