AktualitetTë fundit

Çarja e argjinaturës të lumit Seman përmbyt toka bujqësore dhe banesa në Fier

Prurjet e shumta të lumit Seman kanë shkaktuar çarje në disa segmente të argjinaturës, duke bërë që uji të vërshojë në tokat bujqësore të fshatrave përreth Fierit. Gjatë natës, përmbytjet kanë arritur të prekin edhe banesa, ku në fshatin Havalas banorët janë detyruar të largohen nga shtëpitë për t’u shpëtuar rrezikut.

Sipas raportimit të gazetares Anila Sefa për Klan News, prurjet e lumit vijojnë ende me intensitet të lartë, duke mbajtur situatën kritike. Në fshatin Hasturkas të Libofshës, uji ka përmbytur rreth 20 banesa dhe ka dëmtuar dhjetëra hektarë tokë bujqësore.

Në zonë kanë mbërritur ekipet e emergjencave civile për të ndihmuar banorët dhe për të monitoruar situatën, ndërsa autoritetet paralajmërojnë për vazhdimin e vërshimeve në disa segmente të tjera të lumit.

Banorët janë të alarmuar, ndërsa rrugët dhe tokat përreth mbeten nën ujë, duke krijuar vështirësi në qarkullim dhe dëme të konsiderueshme në bujqësi.

Në serat bujqësore, fidanët e përmbytur nga uji kanë ngrirë nga ulja e menjëhershme e temperaturave. Dëmi i shkaktuar është i madh, pasi përmbytjet nga lumi Seman në këtë zonë janë të përsëritura.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com