AktualitetPolitikëTë fundit

Berisha: Mbështesim opozitën iraniane në përmbysjen e diktaturës

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha komentoi sot edhe zhvillimet ndërkombëtare dhe pozicionin e PD ndaj situatës në Iran, gjatë konferencës për mediet.

Berisha e konsideroi vitin 2026 si “vitin e përmbysjes së diktaturave” dhe nënvizoi se liria për kombet është një sfidë globale.

Ai u shpreh se pas rasteve të diktatorëve si Maduro në Venezuelë, radhën e ka regjimi iranian i Ajetollahëve, i cili sipas tij është në “grahmat e fundit”.

Kreu i PD-së theksoi se populli iranian është në këmbë për lirinë dhe dinjitetin kombëtar dhe se marshi i revolucionit nuk ndalet, pavarësisht dhunës dhe represionit nga regjimi.

“Regjimi i Iranit i ka ditët e numëruara. Liria e iranianëve ka çmimin e saj, por burrat dhe gratë, djemtë dhe vajzat e këtij kombi janë të gatshëm ta paguajnë atë”, u shpreh Berisha.

Berisha deklaroi mbështetjen e fuqishme të Partisë Demokratike për opozitën iraniane në betejën e saj për një Iran të lirë, demokratik dhe të pavarur.

Berisha i bëri thirrje gjithashtu SHBA që të ndihmojë popullin iranian në rrugën e çlirimit nga regjimi aktual.

“PD i bën thirrje qeverive të vendeve të lira, SHBA në radhë të parë, të ndihmojnë me të gjitha mundësitë popullin vigan iranian të çlirohet nga ky regjim obskurantist”, theksoi PD.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com