Vjosa del nga shtrati, përmbyt tokat bujqësore
Lumi Vjosa sot ka dalë nga shtrati, duke përmbytur tokat bujqësore në disa zona të Qarkut Fier dhe duke krijuar shqetësim për banorët dhe autoritetet lokale. Aktualisht nuk ka reshje shiu, ndërsa situata e infrastrukturës mbetet e qëndrueshme, pa dëmtime në rrugë, ura apo objekte kritike, dhe akset kombëtare e rurale janë të kalueshme normalisht. Furnizimi me energji elektrike dhe me ujë të pijshëm vazhdon të jetë i pandërprerë, ndërsa hidrovoret e zonës janë në funksion dhe në gatishmëri të plotë për të menaxhuar situatën. Prurjet në lumin Vjose mbeten të larta, megjithëse me një tendencë të uljes dhe vazhdon përpjekja për të drejtuar ujin drejt Hidrovorit të Darzezës për të shpërdarë pjesërisht përmbytjet e tokave bujqësore.
Lumi Seman është gjithashtu në kuota të larta dhe ka dalë nga shtrati në fshatin Murriz të Njësisë Administrative Fiershegan, Bashkia Lushnje, duke krijuar breza uji në oborret e disa banesave dhe duke rrezikuar kulturat bujqësore. Në zonat Roskovec, Patos dhe Fier, lumi Seman ka përmbytur rreth 100 hektarë tokë brenda argjinaturave, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në tokat e mbjella me drithëra dhe kultura të tjera bujqësore. Ndërkohë, lumi Shkumbin ka dalë nga shtrati në fshatin Thanasaj, duke kaluar nivelin e argjinaturës dhe duke prekur rreth 20 banesa, ndërsa banorët e zonës janë njoftuar për mundësinë e evakuimit në rast se niveli i ujit vazhdon të rritet.
Situata në Qarkun Fier mbetet e ndjeshme, ndërsa prurjet në lumenj vazhdojnë të monitorohen dhe informacioni për banorët dhe strukturat përgjegjëse do të përditësohet në mënyrë të vazhdueshme. Për momentin, nuk raportohet dëmtim i infrastrukturës kritike dhe akset rrugore mbeten të kalueshme, por autoritetet paralajmërojnë për kujdes të shtuar në zonat e përmbytura, veçanërisht në tokat bujqësore dhe pranë lumenjve.
Fraksion.com

