Zjarri tek 5 Maji – Dëmet, miliona euro, zbardhet shkaku si nisi flaka
Zjarri masiv që përfshiu mbrëmjen e djeshme, tregun e rrobave të përdorura në zonën e “5 Majit” në Tiranë, ka lënë pas pasoja të rënda materiale.
Flakët nisën në një kapanon dhe u përhapën me shpejtësi edhe në të tjerë, për shkak të intensitetit të lartë dhe materialeve lehtësisht të djegshme.
Situata u konsiderua kritike në orët e para, por falë ndërhyrjes së dhjetëra forcave zjarrfikëse nga Tirana, Kamza, Vora, Elbasani dhe mbështetjes së Forcave të Armatosura, zjarri u izolua dhe u vu nën kontroll gjatë natës.
Autoritetet konfirmojnë se nuk ka persona të lënduar, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme. Sipas një vlerësimi paraprak nga Bashkia e Tiranës dhe tregtarët, humbjet llogariten në miliona euro.
Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, bëri të ditur në mbrëmjen e kaluar, se vatra e zjarrit është izoluar dhe nuk paraqet rrezik për banesat apo bizneset përreth, megjithëse puna për shuarjen e plotë të flakëve ka vijuar gjatë gjithë natës, ndërsa edhe sot vazhdojnë shtëllunga të mëdha tymi.
Ajo theksoi se përhapja e zjarrit u favorizua nga natyra e mallrave, kryesisht veshje të përdorura, të cilat përmbajnë materiale shumë të ndezshme.
Dyshohet se shkak i rënies së zjarrit, sipas informacioneve paraprake është një shkëndijë elektrike. Megjithatë sipas autoriteteve është ende herët për të arritur në përfundim pasi pritet një zbardhje e plotë e ngjarjes. Sakaq të gjitha dyqanet janë djegur.
Zjarri ka nisur në një dyqan me rroba në qendër të kapanonit e më tej është përhapur në dyqanet përreth, ku është djegur i gjithë kapanoni me rreth 100 dyqane. Brenda ka pasur plastikë dhe materiale të ndryshme industriale të cilat tashmë janë shkëmbuar totalisht dhe dëmi llogaritet në milion euro.
Fraksion.com

