AktualitetPolitikëTë fundit

“Prioritet parësor siguria e jetës së qytetarëve”, Vengu: FA në gatishmëri që prej 3 janarit, të shmangen lëvizjet gjatë pasdites

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, në fjalën e tij gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile nga Zyra Operacionale e Situatës në Kryeministri, ku u bë një përditësim i situatës së krijuar nga motii keq i ditëve të fundit, si pasojë e nivelit tejet të lartë të reshjeve të shiut, u shpreh se rritja e gatishmërisë ka nisur që më 3 janar, bazuar në parashikimet paraprake meteorologjike.

Ai theksoi se që në këtë fazë është kërkuar mobilizimi i prefekturave, bashkive dhe i gjithë zinxhirit të mbrojtjes civile në territor.

Sipas Vengut, Forcat e Armatosura u angazhuan që ditën e hënë dhe në rotacione 24-orëshe kanë pasur në terren 502 efektivë, të cilët vijojnë të jenë të angazhuar edhe aktualisht, si dhe 80 mjete, përfshirë fadroma, varka, 22 motopompa, zjarrfikëse dhe autoambulanca.

“Këto mjete janë përdorur kryesisht në zonat e banuara për të ndihmuar bashkitë në përpjekjet për evakuimin e ujërave. Forcat e Armatosura vijojnë aktualisht të jenë të angazhuara kryesisht në disa zona në Shkodër, Lezhë, Kurbin, Durrës, Fier, Vlorë, Delvinë dhe Gjirokastër, duke u fokusuar në tre drejtime kryesore”, tha Vengu.

Vengu theksoi se prioriteti parësor mbetet siguria e jetës së qytetarëve dhe ndihmesa për largimin e ujërave, me synim rikthimin e tyre në banesat përkatëse.

Elementi i dytë, shtoi ministri, “lidhet me mbështetjen për mbrojtjen e infrastrukturës kulluese, në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe bashkitë, ndërsa elementi i tretë ka të bëjë me rehabilitimin e disa akseve rrugore”.

Ai bëri të ditur se forcat xheniere janë gjithashtu të angazhuara në këto momente në Shkodër, Kurbin, Durrës, Delvinë dhe së shpejti edhe në Tepelenë, për të mundësuar rehabilitimin e urave, ashtu siç është bërë në dy raste gjatë 24 orëve të fundit, si dhe rehabilitimin e akseve rurale.

Vengu theksoi se akset kombëtare janë plotësisht të kalueshme, ndërsa vështirësi vijojnë të evidentohen në akset rurale.

Sa i përket mbështetjes për banorët e evakuuar, ministri bëri të ditur se aktualisht 460 persona janë të akomoduar në struktura shtetërore, ndërsa pjesa tjetër në struktura hoteliere. Në këtë kontekst, ai falënderoi strukturat hoteliere të Durrësit dhe Vlorës për gatishmërinë dhe mbështetjen e treguar.

Ndërkohë, shtoi Vengu, rezervat materiale të shtetit, duke marrë parasysh nevojat e bashkive të Durrësit, Krujës, Vlorës dhe Gjirokastrës, kanë mundësuar dislokimin e pakove ushqimore, si dhe të materialeve për fjetje, krevate dhe elementë të tjerë mbështetës.

Vengu nënvizoi se, “në bashkërendim me Ministrinë e Bujqësisë dhe shërbimet veterinare, të cilat kanë asistuar evakuimin e krerëve të bagëtive në ferma, është mundësuar transporti dhe shpërndarja në orët në vijim e 400 tonëve koncentratë për bagëtitë”.

Lidhur me parashikimet për orët në vijim, Vengu theksoi se, përveç angazhimit për rikthimin e normalitetit në banesa, nevojitet edhe një angazhim logjistik masiv nga bashkitë, Emergjencat Civile dhe Forcat e Armatosura për evakuimin e dherave dhe inerteve, përpara se ato të ngurtësohen, me qëllim shmangien e vështirësive të mëtejshme në procesin e rikuperimit të situatës.

Një element tjetër i rëndësishëm, sipas ministrit, është procesi i kompensimit.

“Bashkitë kanë krijuar grupe evidencash dhe vetëm në Durrës janë hartuar mbi 1300 akte-konstatime dëmesh, ndërsa në vijim do të organizohet një paketë kompensimi në bashkëpunim me Ministrinë e Financave”, tha ai.

Në përfundim, Vengu theksoi se në zonat bregdetare era e fortë kërkon kujdes të shtuar dhe se Emergjencat Civile u bëjnë thirrje banorëve të qëndrojnë në banesat e tyre dhe të shmangin përdorimin e automjeteve gjatë orëve të vështira të pasdites së sotme, për shkak të erërave të forta.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com