AktualitetTë fundit

ARRSH: Të gjitha akset nacionale të hapura, zinxhiri i detyrueshëm në zonat malore

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) bën të ditur se në orët e para të mëngjesit reshjet e shiut dhe të dëborës kanë pushuar në të gjithë territorin e vendit, ndërsa të gjitha akset nacionale janë të hapura për qarkullimin e mjeteve.

Sipas ARRSH-së, temperaturat gjatë natës kanë shënuar vlera të ulëta ekstreme, duke zbritur deri në -18 gradë Celsius në Valbonë, -13 gradë Celsius në Kukës–Shishtavec dhe -8 gradë Celsius në zonën e Thethit.

Në aksin Klos–Burrel janë evidentuar rëshkitje të dherave, por grupet e punës të ndodhura në terren kanë ndërhyrë menjëherë me mjete të rënda për pastrimin dhe normalizimin e qarkullimit.

Autoriteti Rrugor Shqiptar informon se kontraktorët kanë qenë të angazhuar pa ndërprerje 24/7 me mjete dhe punëtorë për pastrimin e akseve rrugore, largimin e dëborës dhe shpërndarjen e kripës, me qëllim parandalimin e ngricave dhe garantimin e sigurisë rrugore.

ARRSH u bën thirrje drejtuesve të automjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe të përdorin goma dimërore, të cilat janë të detyrueshme për automjetet që qarkullojnë në zonat malore apo në segmentet rrugore ku është njoftuar prania e dëborës dhe ngricave.

 

Fraksion.com

 

 

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com