Kjo ishte telefonata e tyre e parë që nga kërcënimi i Trump për një operacion ushtarak në Kolumbi, pas kapjes së Presidentit venezuelian Nicolas Maduro nga SHBA-të në një sulm të paturpshëm në Karakas të shtunën. Paralajmërimet e shtynë Petron të bënte një thirrje për kolumbianët që të dilnin në rrugë për të mbrojtur sovranitetin e tyre.

“Ishte një nder i madh të bisedoja me Presidentin e Kolumbisë, Gustavo Petro, i cili më telefonoi për të shpjeguar situatën e drogës dhe mosmarrëveshjet e tjera që kemi pasur”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.
“E vlerësova telefonatën dhe tonin e tij dhe mezi pres ta takoj në të ardhmen e afërt.”

Trump shtoi se “po bëhen marrëveshje” për një takim në Uashington midis tij dhe Petros, por nuk dha një datë specifike për një takim.

Petro, presidenti i parë i krahut të majtë i Kolumbisë, iu drejtua demonstruesve që kishin dëgjuar thirrjen e tij për protesta në Plaza Bolivar të Bogotës pas telefonatës me Trump. Ai tha se një ulje e tensioneve ishte duke u zhvilluar dhe se iu desh ta ndryshonte fjalimin e tij në minutën e fundit.

«Nëse nuk flasim, ka luftë. Historia e Kolumbisë na e ka mësuar këtë», tha ai.