AktualitetTë fundit

“Njoftim urgjent” – Evakuim i menjëhershëm i banorëve të Novoselës!

 Ministria e Mbrojtjes urdhëroi sot kryerjen e evakuimit të menjëhershëm të banorëve të njësisë administrative Novoselë, në bashkinë Vlorë.

Në zbatim të ligjit “Për Mbrojtjen Civile” si dhe Planit Kombëtar të Emergjencave Civile, Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se do të kryhet evakuimi i menjëhershëm i banorëve për shkak të situatës së krijuar nga përmbytjet dhe rrezikut të menjëhershëm për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

Evakuimi do të realizohet përmes koordinimit me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), prefektin e Qarkut, si dhe strukturave të Emergjencave Civile në bashki.

Sipas legjislacionit në fuqi, Kryetari i Bashkisë është autoriteti përgjegjës për urdhërimin e evakuimit në territorin e bashkisë.

Në çdo rast, komunikimi dhe kërkesat për ndihmë duhet t’u drejtohen autoriteteve publike në terren.

Ministria e Mbrojtjes njofton se prioritet në procesin e evakuimit kanë fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara, si dhe familjet në zona të izoluara.

Transporti për evakuimin e banorëve do të sigurohet nga mjetet e Bashkisë, shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (MZSH), si dhe Forcat e Armatosura.

Po ashtu menaxhimi i strehimit dhe asistencës për qytetarët e evakuuar do të realizohet nga Bashkia, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, njësitë e kujdesit shëndetësor dhe strukturat e shërbimeve sociale.

Në kuadër të këtij procesi do të sigurohet regjistrimi i të evakuuarve, në momentin e mbërritjes në ambientet e strehimit të përkohshëm.

Po ashtu do të kryhet administrimi i nevojave bazë, përfshirë ushqimin, veshmbathjen dhe ndihmën mjekësore, si dhe ofrimi i informacionit periodik për statusin e situatës dhe masat në vijim.

“Ky njoftim ka karakter urgjent dhe hyn në fuqi menjëherë. Për çdo situatë emergjente, qytetarët të kontaktojnë numrin e emergjencave”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com