Në kërkim për “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”, arrestohet 45-vjeçari në Durrës
Në zbatim të planit të masave të hartuar për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim, si rezultat i kontrolleve të bazuara në informacione të siguruara në rrugë operative nga strukturat e DVP Durrës, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, zhvilluan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Masa”.
Si rezultat i operacionit u lokalizua dhe u vu në pranga shtetasi Erjon Kullolli, alias Arjan Kullolli, 45 vjeç, banues në Xhafzotaj, Shijak.
Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim pasi Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, në korrik të vitit 2025, ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

