AktualitetPolitikëTë fundit

Vengu: Të konstatohen dëmet edhe në banesat e qytetarëve në emigracion

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ka ndjekur nga afër situatën e përmbytjeve në qytetin e Durrësit, ku reshjet e dendura të ditëve të fundit kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme.

Vengu ka qenë i pranishëm në zonën e Unazës së Durrësit, një nga pikat më problematike, ku vijon puna intensive e mjeteve dhe efektivëve të Komandës Mbështetëse të Forcave të Armatosura për menaxhimin e situatës.

Gjatë inspektimit, ministri kërkoi që bashkia të angazhojë skuadra për të kryer konstatimin e dëmeve edhe në banesat e qytetarëve që ndodhen në emigracion, ose me pushime dhe nuk janë aktualisht të pranishëm në shtëpitë e tyre.

Një ditë më parë, Vengu theksoi se situata në Durrës mbetet problematike, duke bërë me dije se rreth 800 banesa janë përmbytur si pasojë e reshjeve, ndërsa 180 banorë janë evakuar për arsye sigurie. Ata janë akomoduar pranë dy konvaleshencave në qytet, ku po u ofrohet ushqim dhe shërbim mjekësor.

Autoritetet po vijojnë monitorimin e situatës dhe po bashkëpunojnë për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe rikthimin sa më të shpejtë të normalitetit në zonat e prekura.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com