AktualitetTë fundit

Vengu: Mbi 100 efektivë të FA-ve u angazhuan për përballimin e pasojave nga moti i keq

Përkeqësimi i motit dhe reshjet intensive të shiut përkeqësuan situatën mbrëmjen e djeshme në disa lagje të qytetit të Gjirokastrës.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu shprehu mirënjohje të veçantë për efektivët e Repartit të Gërhotit, të cilët deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme kanë qenë në terren duke luftuar me prurjet e vrullshme të ujit në Gjirokastër.

Ai vlerësoi edhe angazhimin e Forcave të Armatosura në përballimin e situatës së krijuar në disa zona të vendit.

Ministri nënvizon se mbi 100 efektivë, dhjetëra mjete si dhe pompa me kapacitet të lartë janë angazhuar në qarqet Lezhë, Durrës dhe Gjirokastër, si edhe në çdo zonë ku ka qenë e nevojshme ndërhyrja.

Ministri Vengu,  gjatë një interviste për mediet tha  se në Gjirokastër situata paraqitet kritike, për shkak të reshjeve të dendura të shiut dhe vërshimit të ujërave.

Vengu theksoi se energjia elektrike në Gjirokastër është ndalur për arsye sigurie.

“Që nga pasditja e sotme kemi një agravim të situatës në Gjirokastër, ka një vërshim të ujërave në lagjen 18 shtatori. Forcat e Armatosura janë në gatishmëri për t’i ardhur në ndihmë për evakuime. Energjia elektrike është ndaluar për efekte sigurie dhe shpresojmë që në vijim të krijojmë një situatë më pozitive në Gjirokastër dhe të mundësohet rikthimi i energjisë. Është problematike situata”, tha Vengu.

Duke u ndalur në qarkun e Shkodrës, Vengu nënvizoi se kaskada e Drinit është e qëndrueshme.

“Në Shkodër, përpjekja jonë ka qenë këto ditë e përqendruar në kaskadën e Drinit, në mirëmenaxhimi i saj dhe sot kemi një situatë të qëndrueshme. Që prej ditës së shtunë forcat janë në terren”, tha Vengu.

Sa i përket situatës në Lezhë, Vengu tha se po monitorohet bastioni i Gjadrit, pasi ka prurje të shumta.

“Në Lezhë sot kemi pasur zona të prekura nga uji, por situata është në kontroll sepse është mirëmenaxhuar. Kemi pasur situatë të vështirë në Laç”, tha ai.

Ministri tha se edhe në Durrës situata vijon që të jetë problematike, ku rreth 800 banesa janë përmbytur, ndërsa 180 banorë janë evakuuar.

“Situata në Durrës është ende problem. Janë 800 banesa të prekura dhe qindra të tjera të rrethuara nga uji, 180 banorë të evakuuar dhe të akomonduar pranë dy kavalishencave në Durrës dhe aty do të ofrohet ushqim dhe shërbim mjekësor. Po reshjet e shiut do të vijojnë dhe nuk jemi ende jashtë rrezikut”, tha ai.

Vëngu bëri me dije se deri më tani nuk janë konstatuar probleme në argjinatura.

“Një lajm pozitiv është se në argjinatura nuk kemi pasur probleme qoftë në Lezhë apo edhe në jug të vendit. Nëse reshjet nuk përkeqësohen do të jemi në një situatë që do ta mirëmenaxhojmë zonën e nën Shkodrës. Jemi në komunikim për të ulur kuotat dhe aty ku është e mundur të bëhen shkarkime. Në nivel vendor ka pasur gatishmëri edhe nga forcat e armatosura, mjete gomone pompa thithëse kanë qenë në dispozicion”,shtoi Vengu.

“Në kemi shpërndarë hartën e zonave të riskut në nivel kombëtar dhe kemi komunikuar me bashkitë dhe me prefekturat”, përfundoi ministri.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com