Në qarkun Shkodër situata e qëndrueshme, prani uji në disa toka bujqësore
Prefektura Shkodër bëri sot një përditësim të situatës së krijuar nga moti i keq dhe reshjet e denduara të shiut në këtë qark.
Prefektura njoftoi se situata në territor paraqitet kryesisht e qëndrueshme dhe nën kontroll.
Sipas njoftimit, në territorin e bashkisë Shkodër, reshjet e shiut kanë pushuar prej disa orësh dhe deri në këto momente nuk raportohen situata emergjente.
Prefektura Shkodër bën me dije se ka prani të ujit në disa zona tokë bujqësore dhe në oborre në po të njëjtat zona. Grupet e punës vijojnë monitorimin dhe punën në terren në zonat me risk më të lartë. Në zonën e Obotit, në rrugën kryesore evidentohet prezencë uji rreth 30-40 cm, çka lejon qarkullimin vetëm për mjete të larta, si dhe ka prezencë uji në disa oborre banesash dhe në sipërfaqe toke bujqësore.
Në bashkinë e Vaut të Dejës gjatë mbrëmjes së kaluar janë regjistruar reshje shiu me intensitet mesatar. Përroi i Glinës po shfaq tendencë rënieje të nivelit të ujit. Përroi i Gjadrit ka shënuar rënie të nivelit të ujit dhe situata vijon të monitorohet nga strukturat e Emergjencave Civile. Në njësinë administrative Bushat, në fshatrat Mal i Jushit dhe Hoten, janë raportuar se rreth 15 familje janë të bllokuara nga prezenca e ujit, ndërkohë që strukturat vendore janë në gatishmëri dhe ndjekin nga afër situatën në terren.
Sipas njoftimit, në bashkinë Malësi e Madhe gjatë natës janë regjistruar reshje shiu me intensitet të ulët, pa problematika të raportuara. Situata paraqitet e qetë dhe nën monitorim të vazhdueshëm.
Në fshatin Kamicë përroi i thatë është tërhequr nga rruga.
Prefektura Shkodër cilëson se në territorin e bashkisë Fushë-Arrëz vijojnë reshje shiu me intensitet të ulët, ndërsa si pasojë e reshjeve të shumta të disa ditëve më parë janë evidentuar shkarje dherash, rënie gurësh dhe prezencë uji në disa akse rurale. Rrugët mbeten të hapura për qarkullim dhe po punohet për pastrimin dhe rikthimin e situatës në normalitet.
Në bashkinë e Pukës aktualisht vijojnë reshje intensive të shiut, të shoqëruara me erë të fortë, pa problematika apo emergjenca civile të raportuara deri në këto momente, ndërsa situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme.
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit Lezhë, niveli i ujit në Urën e Bunës është 1,80 m, niveli i liqenit të Shkodrës ndodhet në kuotën 7,7 m dhe niveli në Dajç në kuotën 6,2 m.
Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të bashkëpunojnë me strukturat e Emergjencave Civile për çdo situatë të mundshme.
Fraksion.com

