Kaos në Evropë – Gjashtë të vdekur dhe qindra fluturime të anuluara nga dëbora
Reshjet e dendura të dëborës dhe kushtet e rrezikshme nga akulli kanë shkaktuar ndërprerje të mëdha të udhëtimeve në mbarë Evropën, me gjashtë viktima të raportuara nga incidente të lidhura me motin ekstrem, sipas BBC.
Pesë persona humbën jetën në dy rajone të ndryshme të Francës si pasojë e kushteve të rrezikshme të qarkullimit, njoftuan autoritetet, ndërsa një grua vdiq në kryeqytetin e Bosnjë-Hercegovinës, Sarajevë, pasi në qytet ra rreth 40 centimetra dëborë.
Qindra fluturime janë anuluar në të gjithë kontinentin, duke lënë mijëra pasagjerë të bllokuar në aeroporte, veçanërisht në Paris dhe Amsterdam. Autoritetet paralajmëran sot se ndërprerjet e fluturimeve pritet të vazhdojnë.
Në Francë, tre persona humbën jetën në dy incidente të veçuara në departamentin Landes, në jugperëndim të vendit, për shkak të akullit në rrugë. Dy viktima të tjera u regjistruan në rajonin e Parisit. Njëra humbi jetën pas një përplasjeje mes një automjeti dhe një kamioni në lindje të Parisit, ndërsa tjetra vdiq pasi një taksi doli nga rruga për shkak të borës dhe ra në lumin Marne.
Edhe Ballkani është përfshirë nga reshje bore dhe shira të dendur. Në Sarajevë, një grua vdiq të hënën pasi një pemë e rënduar nga bora e lagësht u rrëzua mbi të, bënë të ditur autoritetet policore.
Ministri francez i Transportit, Philippe Tabarot, tha se më shumë dëborë pritet sot, duke u bërë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet rrugore dhe të punojnë nga shtëpia sa herë që është e mundur.
Shërbimi kombëtar meteorologjik i Francës njoftoi se 38 departamente do të vendosen nën alarm portokalli për borë. Shumë linja hekurudhore u anuluan në pjesë të ndryshme të vendit.
Në Paris, autoritetet thanë se aeroporti Roissy Charles de Gaulle do të anulonte 40% të fluturimeve për disa orësot në mëngjes, për të lejuar pastrimin e pistave nga dëbora. Ndërkohë, aeroporti Orly planifikoi anulimin e rreth 25% të fluturimeve në të njëjtën periudhë.
Në aeroportin ”Schiphol” të Amsterdamit, mbi 400 fluturime u anuluan sot , duke shkaktuar kaos të madh në udhëtime. Qindra pasagjerë mbetën të bllokuar, shumë prej tyre pa mundur të kapnin fluturimet lidhëse. Radhë të gjata u krijuan pranë sporteleve të kompanive ajrore, ndërsa pasagjerët prisnin informacion për rifillimin e fluturimeve.
Shumë nga fluturimet e anuluara operoheshin nga kompania holandeze KLM, e cila paralajmëroi se po i mbarohej lëngu për shkrirjen e akullit në avionë. Kompania fajësoi kushtet “ekstreme” të motit dhe vonesat në furnizim.
Nga ana e saj, administrata e aeroportit Schiphol deklaroi se “ekipet e borës po punojnë pa ndërprerje për të mbajtur pistat të pastra dhe avionët po i nënshtrohen procedurave të kujdesshme të shkrirjes së akullit për të garantuar sigurinë e udhëtimit”.
Sipas transmetuesit holandez NOS, edhe rreth 600 fluturime të tjera të planifikuara për t’u nisur sot nga Schiphol janë anuluar.
Probleme u regjistruan edhe në transportin hekurudhor. Sot në mëngjes, të gjitha shërbimet hekurudhore në Holandë u ndërprenë përkohësisht për shkak të një defekti në sistemet IT. Disa trena rifilluan qarkullimin pas orës 09:00, por problemet vazhduan gjatë gjithë ditës. Shërbimet Eurostar nga Amsterdami drejt Parisit u anuluan ose u vonuan.
Fraksion.com

