IGJEO: Rrezik i lartë për përmbytje dhe rrëshqitje dherash në disa qarqe të Shqipërisë
Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO) bëri me dije se sot pasdite dhe gjatë ditës së nesërme priten reshje intensive në të gjithë vendin, duke rritur rrezikun për përmbytje dhe rrëshqitje dherash në disa zona.
Sipas parashikimeve, sot pasdite dhe nesër priten reshje intensive në të gjithë vendin.
Në qarqet Shkodër, Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshkitje të dherave.
Në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjëndjes së kanalizimeve.
Sipas llogaritjeve hidrologjike të IGJEO-s, si rezultat i reshjeve me intensitet të lartë të rëna gjatë ditëve të kaluara, të cilat do të vazhdojnë deri ditën e enjte do të ketë rritje të prurjeve dhe niveleve në lumenjtë Mat, Ishëm, Erzen, Shkumbin.
Rrezik të shtuar për përmbytje në vazhdim të ditës së sotme dhe të nesërme do të ketë lumi Vjosë, lumi Drin-Buna dhe liqeni i Shkodrës.
Sa i përket reshjeve sot pasdite dhe nesër në qarqet Shkodër, Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër priten reshje intensive, ndërsa në qarkun Kukës priten reshje mesatare deri lokalisht intensive.
Reshjet priten të shoqërohen me shtrëngata. Në Veri, Lindje dhe Juglindje në lartësitë mbi 500 m nga niveli i detit reshjet do të jenë në formë dëbore.
Sa i përket temperaturave nesër temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë në bregdet: 5 / 10 °C, në vendet e ulëta: 0 / 9 °C, në vendet malore: -5 / 4 °C
Era sot pasdite dhe nesër pritet të fryjë mesatare deri e fortë në bregdet dhe në zonat malore.
Autoritetet bëjnë apel për qytetarët që të jenë të kujdesshëm, të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e përmbytura dhe të ndjekin udhëzimet e emergjencave lokale.




