AktualitetPolitikëTë fundit

“Çudi e madhe, hiç, asnjë llaf”, ironia e Ramës: S’e kuptoj pse nuk po më fajësojnë akoma mua, qeverinë dhe bashkinë!

Prej dy ditësh vendi ynë është përfshirë nga reshje të dendura shiu. Për pasojë disa zona janë përmbytur, ku më kritike është paraqitur situata në Durrës.

Problematikat vijojnë në zonat periferike të Durrësit, ku rreth 800 banesa dhe dhjetëra biznese janë përmbytur, po ashtu është prekur dhe procesi mësimor, ku në disa zona nuk është zhvilluar për shkak të reshjeve të dendura.

Mbi situatën ka reaguar kryeministri Edi Rama i cili në një postim në rrjetin social “X” shprehet i “habitur” që ai vetë dhe qeveria nuk po fajësohen edhe për përmbytjet e ndodhura në rajon.

Kryeministri kujtoi se reshjet kanë shkaktuar përmbytje edhe në vende të tjera të rajonit si Itali, Greqi, Mal të Zi dhe Kroaci, por andej opozita nuk fajëson qeverinë.

“Nuk e kuptoj pse nuk po më fajësojnë akoma mua, qeverinë dhe bashkinë e Durrësit, për reshjet mbytëse të këtyre ditëve në Itali, Greqi, Mal të Zi, Kroaci e me radhë… Çudi e madhe opozitat andej, po të paktën të fajësonin qeveritë e tyre, po hiç, asnjë llaf. S’e kuptojnë që aleanca me shiun të çon në fitore?!”, u shpreh Rama, në një reagim në rrjete sociale.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh dje se “përmbytjet janë rezultat i politikave të dështuara urbanistike dhe mungesës së investimeve në infrastrukturë dhe sistemin e kanalizimeve, përgjegjësi që i atribuohen qeverisë dhe pushtetit lokal”.

Prej dy ditësh vendi është përfshirë nga moti i keq me reshje intensive shiu, që ka shkaktuar probleme në disa qarqe. Aktualisht qarqet më të prekura janë ai i Gjirokastrës, Lezhës dhe Durrësit.

 

Fraksion.com

 

 

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com