Akset nacionale në qarkun Kukës të hapura, probleme me energjinë në tre zona
Prefekti i Qarkut Kukës, Dritan Baji bëri të ditur për ATSH-në se, sot për shkak të reshjeve intensive të shiut, situata në akset rrugore të qarkut paraqitet në risk të shtuar, ndërsa të gjitha akset rrugore nacionale vijojnë të jenë të qarkullueshme.
Sipas prefektit, i gjithë territori i Qarkut Kukës vazhdon të jetë i përfshirë nga reshje shiu, duke krijuar risk në rrugët nacionale, rrugët bashkiake dhe në ura.
“Strukturat përkatëse dhe subjektet kontraktore janë në gatishmëri të plotë dhe po punojnë me kapacitet maksimal për të mbajtur funksionale akset rrugore nacionale”, tha ai.
Në bashkinë Kukës vijon të mbetet e rrezikuar ura e fshatit Orgjost, për shkak të dëmtimit të njërës prej këmbëve mbajtëse. Gjithashtu, vijojnë të jenë të bllokuara segmenti rrugor i njësisë administrative Zapod, si dhe rrugët Cërnalevë dhe Oreshkë.
Nga bashkia Tropojë bëri të ditur Baji, nuk ka problematika, ndërsa situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat përgjegjëse.
Në bashkinë Has, problematikë mbetet rezervuari Helshan 2, ku dhe monitorimi i situatës po vijon me vëmendje të shtuar nga ekipet përkatëse.
Prefekti Baji bëri të ditur gjithashtu se i gjithë Qarku Kukës furnizohet me energji elektrike, me përjashtim të njësive administrative Zapod, Shishtavec dhe Topojan në bashkinë Kukës. Ndërsa furnizimi me ujë të pijshëm realizohet sipas orareve të përcaktuara nga Drejtoria Rajonale e Ujësjellës Kanalizimeve Kukës.
“Strukturat përkatëse po vijojnë monitorimin e situatës dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm për ndërhyrje të menjëhershme në rast përkeqësimi të kushteve atmosferike”, u shpreh Baji për ATSH-në.
Fraksion.com

