Agjencia Kundër Korrupsionit në “lupë” pasurinë e Vjosa Osmanit? Presidenca: Çdo verifikim, i mirëpritur! Fushatat e njollosjes…
Pas raportimeve se Agjencia Kundër Korrupsionit ka nisur procedurën zyrtare të verifikimit të pasurisë së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, nga Presidenca kanë bërë të ditur se nuk kanë informacione të tilla.
Megjithatë siç tha Bekim Kupina, këshilltari i Osmanit, e mirëpresin çfarëdo verifikimi.
“Presidentja Osmani mirëpret çfarëdo verifikimi nga cilido institucion, që është i bazuar në pavarësi, paanshmëri, integritet, ligj dhe fakte të vërteta, por jo në fushata njollosjesh, të cilat dihet mirëfilli pse po ndodhi.”, tha Kupina per rtv21.
Osmani, e cila shpesh përmendet në opinionin publik për standardin e saj të jetesës, ka blerë një shtëpi në një lagje luksoze në periferi të Prishtinës. Por ajo ka edhe shumë patundshmëri të tjera, siç janë pronat në Australi, ku vetëm një shtëpi figuron me vlerë mbi gjysmë milioni euro. Po ashtu, vitin e kaluar, në deklarimin e pasurisë, ajo ka deklaruar se bashkë me bashkëshortin posedojnë edhe një banesë në Prishtinë, si dhe tokë dhe një shtëpi tjetër në Australi.

