AktualitetKosovaTë fundit

Kurti: Formimi i qeverisë së re menjëherë pas certifikimit të zgjedhjeve

Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se formimi i qeverisë së re do të bëhet menjëherë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore nga Komisioni Qendror Zgjedhor.

Në një intervistë për KosovaPress, Kurti tha se synimi është që sa më shpejt të konstituohet Kuvendi i legjislaturës së dhjetë, të zgjidhet kryesia e Kuvendit dhe të formohet qeveria e re, duke theksuar se vendimi më i rëndësishëm në fillim do të jetë miratimi i buxhetit për vitin 2026.

Sipas tij, bashkëpunimi me partitë tjera do të shihet shumë shpejt, siç thotë ai, për shkak të marrëveshjeve ndërkombëtare urgjente.

Kryeministri në detyrë, partia e të cilit mori mbi 50 për qind të votave në zgjedhjet e 28 dhjetorit, nënvizon se Kosova nuk duhet të vonohet më në përfitimin e rreth 880 milionë eurove nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, si dhe 90 milionë eurove mbështetje buxhetore nga Banka Botërore. Po ashtu, ai përmendi edhe fondet për çerdhe dhe për sistemin informativ shëndetësor.

Sa i përket bashkëqeverisjes, Kurti thotë se prioritet do t’u jepet partive politike të komuniteteve jo-shumicë, jo-serbe, me të cilat ka pasur bashkëpunim edhe në legjislaturat e kaluara, përfshirë edhe subjektin politik të Nenad Rashiq.

Ai theksoi se bashkëpunimi me disa subjekte të tjera është bërë më i vështirë gjatë vitit 2025, por nuk e përjashtoi plotësisht. “Është shumë e rëndësishme që mos të vonohemi më për 880 milionë euro të planit të rritjes së Bashkimit Evropian, ku dy të tretat, përafërsisht, janë kredi, ndërkaq një e treta janë grante. Ndërkaq në anën tjetër, gjithashtu i kemi edhe 90 milionë euro prej Bankës Botërore mbështetje për buxhetin. I kemi edhe 20 milionë euro të tjera për çerdhet për fëmijë dhe 20 milionë euro të tjera për sistemin informativ shëndetësor. Pra, shumë shpejt do ta shohim ne se a do të mund të bashkëpunojmë me opozitën sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare. Ndërkaq, sa i përket qeverisë, nuk do të ketë kurrfarë problemi për formimin e shpejtë të qeverisë. Aktualisht vonesat janë derisa të bëhet numërimi i plotë i votave dhe certifikimi i rezultatit”, thekson Kurti.

Duke folur për kabinetin qeveritar, Kurti thotë se nuk priten ndryshime të mëdha, por nënvizon se do të ketë konsultime të reja brenda Lëvizjes Vetëvendosje dhe me partnerët e koalicionit.

“Nuk do të ketë ndryshime të mëdha, por nuk mund të them as që do të jetë identike. E para, duhet ta presim rezultatin e zgjedhjeve dhe tash ju e keni parasysh që qytetarët bëjnë dy lloj zgjedhjesh: së pari zgjedhin subjektin politik, më pastaj zgjedhin kandidatët përbrenda subjektit politik, dhe aty ka ndryshime. Kemi deputetë që janë zgjedhur për herë të parë, kemi deputetë që janë konfirmuar edhe më fuqishëm, kemi të tillë që kanë ngecur ca. Duhet t’i kemi të gjitha në konsideratë para se ta marrim vendimin përfundimtar dhe ne jemi ekip i gjerë. Pra nuk është çështja vetëm renditja në hierarki, qoftë ajo brenda Lëvizjes Vetëvendosje apo jashtë saj në popull sa vota ka marrë kush, por kush, ku, për çka, kur, janë po ashtu shumë të rëndësishme. Domethënë, ne duhet ta shohim veten tonë individualisht në funksion të ekipit që e ndërtojmë, e që është bashkëdyzim i mazhorancës në Kuvend me kabinetin qeveritar”, thotë Kurti.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com