Adriatik Lapaj pësoi dëmtime në kokë pas përplasjes me policinë, ja si është gjendja e tij!
Ministria bën me dije se Adriatik Lapaj, pas ekzaminimeve të kryera, ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por vijon të jetë nën mbikëqyrjen e mjekëve.
Sipas njoftimit zyrtar, në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur mbrëmjen e djeshme gjithsej pesë persona, dy prej të cilëve efektivë të Policisë së Shtetit. Njëri nga efektivët ka lënë spitalin pas marrjes së ndihmës mjekësore, ndërsa tjetri vijon të jetë i shtruar.
Po ashtu, për ndihmë mjekësore janë paraqitur edhe dy protestues të tjerë, të cilët kanë marrë trajtimin e nevojshëm dhe kanë lënë ambientet e spitalit.
Protesta përpara Kryeministrisë zhvillohej prej rreth një muaji në mënyrë të pandërprerë. Gjatë ndërhyrjes së forcave të rendit për shpërndarjen e protestuesve, dyshohet se Lapaj ka pësuar dëmtime në kokë nga një bombol gazi.
Njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë
Në Spitalin Universitar të Traumës, mbrëmjen e djeshme janë paraqitur 5 persona, dy prej të cilëve efektivë të Policisë së Shtetit. Njëri prej tyre ka lënë Spitalin ndërsa tjetri vijon i hospitalizuar nën kujdesin e mjekëve.
Adriatik Lapaj pas ekzaminimeve të kryera ndodhet jashtë rrezikut për jetën por po vijon të jetë në spital në kujdesin e ekipit mjekësor.
Gjithashtu, për ndihmë mjekësore në spital janë paraqitur edhe dy protestues të cilët gjithashtu ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe kanë lënë ambientet e spitalit pasi kanë marrë ndihmën mjekësore.
Ndërsa Lapaj ka reaguar në rrjetet sociale duke u shprehur se nuk do të dorëzohet, por do të kthehet sërish në shesh.
“Miq, mbrëmë pas mesnate dhjetëra forca të Edi Ramës u sulën të tërbuar mbi ne. I gjendur përballë dhunimit të së drejtës sime Kushtetuese për të shprehur mendimin tim përmes protestës, nuk kam lëvizur. Kam nisur të filmoj. Nga veprimet e tyre një prej ngrohëseve më ka goditur. Ndodhem te Spitali i Traumës ku po kryej ekzaminimet. Sërish do kthehem në shesh. Edi Rama unë nuk të kam frikë. Përkundrazi! Ti je kreu i një bande dhe do mbash përgjegjësi. I bëj thirrje kujtdo të bashkohet kundër hajdutëve”, ka shkruar Lapaj.
“Shqipëria Bëhet” po proteston pa ndërprerje që prej datës 8 dhjetor para godinës së Kryeministrisë.
Fraksion.com

