AktualitetPolitikëTë fundit

“Etika” e Kuvendit përjashton me 30 ditë 6 deputetë të PD-së

Sekretariati i Etikës përjashtoi gjashtë deputetë të opozitës pas incidenteve të ndodhura në seancën parlamentare të 18 dhjetorit.

Belind Këlliçi, Klevis Balliu, Fidel Kreka, Albana Vokshi, Flamur Noka dhe Elda Hoti, u përjashtuan me 30 ditë.

Përjashtim u kërkua edhe për Sali Berishën, me 30 ditë, por në fund “Etika” vendosi vetëm për gjashtë prej tyre, pas akteve në seancën e 18 dhjetorit ku u hodhën edhe flakadanë.

“Mos kujto se do tërhiqemi derisa të ikë Edi Rama dhe Belinda Balluku”, tha Albana Vokshi pas vendimit.

Ndërkohë kreu i Sekretariatit të Etikës, Ulsi Manja, pas përfundimit të mbledhjes, përshëndeti kolegët demokratë me ngritjen e dy gishtave.

“Kanë kryer veprimet të dhunshme duke shkulur mikrofonat e seancës plenare, duke ndezur flakadanë në seancë dhe duke gjuajtur me sende jo të lejueshme në drejtim të kryetarit të Kuvendit, të përjashtohet me 30 ditë punë nga 60 që u kërkuan. Të gjithë deputetët e tjerë që u propozuan të merren masa 30 ditë dhe 10 ditë nga punimet e komisioneve dhe seancës plenare, Sekretariati për Procedurat, Etikën dhe Votimet vendosi të mjaftohet këtë radhë vetëm me tërheqjen e vëmendjes”, tha Manja në një komunikim për mediat pas mbledhjes.

Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, deklaroi se falë mbështetjes së qytetarëve në protestë, qeverisë i është dhënë mesazhi që do të “çmontohet”.

“Ju siguroj që mbrëmë me vërshimin e qytetarëve në bulevard kundër narkosit këta e kanë marrë një mesazh. Ne nuk ndahemi derisa t’i çmontojmë. Ata që përfaqësojnë në pushtet kartelet ata sot po e nuhasin që po u rrëshqet dheu nën këmbë”, tha Noka.

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com