AktualitetTë fundit

Fjona Papajorgji zgjidhet kryetare e Gjykatës Kushtetuese

Në krye të Gjykatës Kushtetuese është zgjedhur këtë të enjte, më 18 dhjetor, gjyqtarja Fjona Papajorgji, e cila zëvendëson në këtë detyrë Holta Zaçajn, të cilës i kishte përfunduar mandati.

Siç raporton gazetarja e Klan News, Glidona Daci, Papajorgji ishte e vetmja që kishte shprehur interesin për të qenë në krye të institucionit më të rëndësishëm, në sistemin e Drejtësisë. Në detyrën e re, Papajorgji do të ketë një mandat 3-vjeçar.

Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese zhvilloi sot, më 18 dhjetor 2025, seancën për zgjedhjen e Kryetarit të ri të Gjykatës Kushtetuese. Në përfundim të procesit të votimit, në bazë të parashikimeve ligjore, Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, me vendimin nr.14, datë 18.12.2025, zgjodhi njëzëri zonjën Fiona Papajorgji në detyrën e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në njoftimin zyrtar, lidhur me vendimin që do t’i përcillet edhe presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit dhe Kryetarit të Gjykatës së Lartë.

Sjellim ndërmend se Gjykata Kushtetuese u mblodh në fillim të këtij muaji, konkretisht në datën 2, për të marrë vendimin për nisjen e procedurave për zgjedhjen e kryetarit të ri.

Kush është Fjona Papajorgji

Fjona Papajorgji është anëtare e Gjykatës Kushtetuese që prej nëntorit të vitit 2019 dhe ka një përvojë të gjatë profesionale në fushën e drejtësisë kushtetuese, si në aspektin gjyqësor ashtu edhe akademik. Krahas detyrës si gjyqtare, ajo është gjithashtu pedagoge në Programin e Formimit Fillestar në Shkollën e Magjistraturës.

Papajorgji ka shërbyer edhe si anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi gjatë vitit 2023.

Në fushën akademike, prej vitit 2007 ajo është lektore e së Drejtës Publike në disa universitete, si dhe ka kontribuar si eksperte në projekte të ndryshme, përfshirë ato të Agjencisë për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë dhe proceset e përafrimit të legjislacionit.

Sa i përket formimit arsimor, Fjona Papajorgji është diplomuar në vitin 2000 në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Barit, Itali. Në vitin 2012 ajo ka përfunduar studimet doktorale dhe ka marrë gradën shkencore “Doktore e Shkencave Juridike”, po në Universitetin e Barit.

Me zgjedhjen në krye të Gjykatës Kushtetuese, Papajorgji merr drejtimin e një prej institucioneve më të rëndësishme të drejtësisë në vend.

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com