Bloomberg: Erdogan i kërkon Putinit të tërheqë sistemet S-400 nga Rusia
Turqia po shqyrton mundësinë e kthimit të sistemit rus të mbrojtjes ajrore S-400, të blerë nga Rusia gati një dekadë më parë, si pjesë e përpjekjeve për të normalizuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe për t’u ribashkuar me programin amerikan të avionëve luftarakë F-35, raportoi Bloomberg.
Sipas burimeve të cituara nga agjencia, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e ka ngritur këtë çështje me presidentin rus Vladimir Putin gjatë një takimi të zhvilluar javën e kaluar në Turkmenistan. Diskutime të ngjashme mes zyrtarëve të dy vendeve kanë ndodhur edhe më herët, megjithatë Kremlini ka mohuar se është paraqitur një ofertë zyrtare për kthimin e sistemit.
Raporti thekson se Ankaraja po kërkon gjithashtu rimbursim për shumën shumëmiliardë dollarëshe të paguar për S-400, me një nga opsionet që përfshin kompensim përmes blerjes së naftës dhe gazit rus. Një zgjidhje e tillë synon të shmangë përkeqësimin e marrëdhënieve me Moskën, ndërsa Turqia përpiqet të dalë nga ngërçi me Uashingtonin.
Javën e kaluar, ambasadori i SHBA-së në Turqi, Tom Barrack, deklaroi se Ankaraja ishte më afër dorëzimit të sistemit kundërajror dhe se çështja mund të zgjidhej brenda 4–6 muajsh. Megjithatë, rikthimi i Turqisë në programin F-35 mbetet i ndërlikuar, pasi varet nga miratimi i Kongresit amerikan dhe jo vetëm nga një vendim presidencial.
Ndërkohë, Ankaraja duket se po kërkon një rrugëdalje që të heqë dorë nga S-400 pa dëmtuar ekuilibrat e saj diplomatikë mes Uashingtonit dhe Moskës.
Fraksion.com

