AktualitetPolitikëTë fundit

SPAK shton akuzat ndaj Belinda Ballukut dhe i kërkon Kuvendit autorizim për ta arrestuar

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka paraqitur sot, 16 dhjetor, kërkesë për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku.

Në njoftimin zyrtar, theksohet se kërkesa konsiston në dhënien e autorizimit për arrestimin ose heqjen e lirisë së ministres së Energjisë e Infrastrukturës, njëherësh deputete dhe numri dy i qeverisë.

Njoftimi i plotë i SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka paraqitur kërkesë për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për arrestimin/ heqjen e lirisë së deputetit/ministrit/zëvendëskryeministrit:

Belinda Balluku, lindur dhe banuese në Tiranë, e cila ushtron funksionet e deputetit, ministrit dhe zëvendëskryeministrit të Republikës së Shqipërisë.

Kjo shtetase është marrë në cilësinë e të pandehurit në kuadër të procedimit penal nr.136 të vitit 2025, pasi akuzohet për kryerjen e veprës penale:

“Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 258/2 dhe 25 të Kodit Penal, në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”.

Gjithashtu, shtetasja Belinda Balluku ka marrë cilësinë e personit nën hetim për dyshimin e kryerjes së të njëjtës vepër penale për shtatë procedura të tjera prokurimi me objekt:

“Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”;
“Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2”;
“Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana”;
“Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”;
“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”;
“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”;
“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”.
Kjo kërkesë ka për qëllim marrjen e autorizimit nga Kuvendi për procedimin e mëtejshëm ligjor.

Pas kërkesës në Kuvend është vendosur që Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetit ta shqyrtojë atë më 19 dhjetor. Sipas rregullave, Balluku ka të drejtë të japë shpjegime, të përfaqësohet nga avokati dhe të ushtrojë të plotë të drejtën e mbrojtjes gjatë mbledhjes.

Këshilli shqyrton kërkesën dhe brenda dy javësh harton raportin, ku rekomandon miratimin ose rrëzimin e saj. Raporti u shpërndahet deputetëve. Më pas, kërkesa futet si pikë e parë e rendit të ditës në seancën plenare.

Fjalën, po sipas Rregullores së Kuvendit, e merr deputetja për të cilën është bërë kërkesa, pa u hapur diskutimi mbi raportin. Vendimi merret me votim të hapur. Nëse Kuvendi nuk shprehet brenda 3 muajve, kërkesa e Prokurorisë së Posaçme AntiKorrupsion konsiderohet e rrëzuar.

Balluku u rikthye në detyrë, me vendim të Gjykatës Kushtetuese, më 12 dhjetor, pas shqyrtimit të kërkesës së kreut të qeverisë për të zgjidhur mosmarrëveshjet e kompentencave mes ekzekutivit dhe Gjykatës së Posaçme. Kështu u rrëzua vendimi i marrë nga GJKKO në datën 20 nëntor.

Numri një i kabinetit ka reaguar vazhdimisht sa i takon çështjes. Edhe këtë të martë, ai bëri një postim të menjëhershëm në rrjetin e tij social “X” ku shkruan se “ende pa u tharë boja e gjyqtarëve të Kushtetueses, kërkohet një masë e tillë shtrënguese që sipas tij është kthyer në modë të vrazhdtë në Shqipëri”.

Sipas Ramës, mazhoranca do të angazhohet për të mbajtur një qëndrim të drejtë, të qartë e të denjë.

Kujtojmë se Balluku u mor e pandehur më 30 tetor të këtij viti, e akuzuar për “shkelje të barazisë në tendera”, lidhur me tunelin e Llogarasë, ndërsa më 20 nëntor me vendim të gjyqtarit të GJKKO-së, Erjon Çela, ajo u pezullua nga detyra si zv.kryeministre e njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, në sajë të hetimeve për tenderin e Unazës së Madhe. Më 22 nëntor, GJKKO verifikoi masat e sigurisë “pezullim nga detyra” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit” për Ballukun.

 

Fraksion.com

 

 

 

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com