AktualitetTë fundit

Lahuta shqiptare jehoi në Vatikan në aktivitetin për nder të Shën Terezës

Lahuta ushtoi në ambientet solemne të Selisë së Shenjtë në një aktivitet kushtuar Shën Terezës.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi ndau në rrjetet sociale pamje nga aktiviteti në Vatikan.

Peleshi e cilëson momentin si historik, duke theksuar se tingulli epik i lahutës, një nga instrumentet më të lashta të traditës shqiptare, u përcoll përpara publikut europian në zemrën shpirtërore të botës.

“Moment historik në Vatikan. Në aktivitetin për nder të Shën Terezës, Lahuta shqiptare jehoi në ambientet solemne të Vatikanit, duke sjellë tingullin epik më të lashtë të traditës sonë kulturore përpara publikut europian. Nga malësitë e Shqipërisë, në zemrën shpirtërore të botës, lahuta dëshmoi se trashëgimia jonë jeton, flet dhe bashkon”, shkruan Peleshi.

Lahuta është shpallur zyrtarisht pasuri e trashëgimisë kulturore jomateriale në listën e UNESCO-s, për mbrojtje urgjente.

Një nga thesaret më të çmuara të identitetit tonë kulturor, arti i të luajturit, të kënduarit dhe bërjes së lahutës, është tashmë pasuri botërore.

Arti i të kënduarit, të luajturit dhe bërja e lahutës përfaqësojnë një element thelbësore të identitetit në hapësirën shqiptare rurale të kultivuar ndër shekuj në krahinat veriore dhe përtej që nga Malësia e Madhe, Dukagjini, Malësia e Gjakovës, Rugova, Drenica, Plava dhe Gucia. Eposi i Kreshnikëve dhe balada të traditës shqiptare veriore, në duart e lahutarit kanë shprehur në shekuj virtytet e trimërisë, qëndresës, nderit, besës dhe mikpritjes.

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com