Shkupi u mbush sot me flamuj kuqezi, teksa qindra shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria u mblodhën në sheshin “Skënderbeu” për të marrë pjesë në protestën në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.

Protesta u thirr nga organizatat e veteranëve të UÇK-së dhe përbën tubimin e pestë radhazi, pas atyre të zhvilluara më herët në Prishtinë, Tiranë, Strasburg dhe Hagë. Me pankarta, simbole kombëtare dhe thirrje për drejtësi, pjesëmarrësit shprehën solidaritetin e tyre me të akuzuarit.

Berat Hajdari, veteran i luftës, përshëndeti të pranishmit dhe tha se nuk do fliste vetëm si anëtar i këshillit organizativ i protestës, por edhe si invalid i luftës që mban plagët e lirisë.

Ai shtoi se: “Jemi mbledhur për një kauzë që na dhemb, por mbi të gjitha na bashkon për të kërkuar drejtësi për komandantët e UÇK-së që po gjykohen padrejtësisht në Hagë. Nuk po kërkojmë të mohojmë drejtësinë, por jemi për ta kërkuar drejtësinë. Jemi për t’i përkujtuar botës se ligji duhet të jetë i barabartë për të gjithë, se historia nuk guxon të shtrembërohet, se lufta jonë e drejtë nuk guxon të baltoset. Ne kërkojmë që gjykimi të jetë i ndershëm, jo i bazuar në gënjeshtrat serbo-ruse.”

Ish-veterani i UÇK-së: “Në një kohë kur terri dukej i pafund, kur toka e Kosovës dridhej nga padrejtësia dhe fytyrat e njerëzve ishin bërë hije nga frika, nga nëntoka e Dardanisë diçka u zgjua, jo një ushtri me armë të rënda, por një shpirt i lashtë, i papërkulur. U ngrit zëri i një populli që nuk pranonte të tretej në heshtje, u ngrit UÇK. Ajo nuk lindi në sallone politike, por në plagët e historisë, në lotët e nënave, në britmën e padrejtësisë, në zemrat e atyre që e donin këtë tokë më shumë se veten. Në uniformë të thjeshtë por shpirt të hekurt. Ata u bënë simbol i shpresës, i dinjitetit dhe populli u ngrit me ta.”

Veterani i UÇK-së, Hasan Haklaj: UÇK është fotosinteza e kombit shqiptar

Veterani i UÇK-së, Hasan Haklaj, ishte folësi i dytë në protestën kundër Speciales që u mbajt në Shkup.

“Të dashur bashkëkombës, të dashura motra dhe vëllezër, bij dhe bija të një historie, të një gjuhe, të një gjaku, të një qëndrese. Një rilindas i madh thoshte se me shkronja bëhet alfabeti dhe me alfabet shkruhet kombi. Po të mos ishte alfabeti shqip, ne do të shuheshim. Ky është i paprekshëm dhe tri shkronjat më të arta të alfabetit shqip janë UÇK”, tha Haklaj para mijëra protestuesve.

Ai shtoi se UÇK është “fotosinteza” e kombit shqiptar.

Vajza e komandant Strugës: Kombi ynë mos të kthehet në një statistikë harrese!

Shqipdona Mazari, vajza e Komandant Strugës, mbajti një fjalim përpara shqiptarëve të mbledhur në protestën që u zhvillua këtë të shtunë në Shkup.

Ajo u shpreh se UÇK-ja nuk ishte një ushtri pushtuese, por një ushtri çlirimtare që luftoi për liri.

“Unë si bijë dëshmori qëndrojë para jush me një emocion, ndjenjë përgjegjësi dhe plagë e pashërueshme. Emocioni im është simfoni krenarie. UÇK-ja është përgjigja e një populli që nuk e pranoi kurrë zhdukjen dhe ata që e udhëhoqën nuk ishin kurrë kriminel”, shtoi Mazari. Ajo u bëri thirrje shqiptarëve kudo që ndodhen të mos ndalen së kërkuari drejtësi për ish-krerët e UÇK-së, dhe që ngjarjet në Kosovë mos të kthehen në “statistikë harrese”.

Ali Ahmeti: Faleminderit Evropë, Amerikë e NATO që përkrahët UÇK-në e ndalët gjenocidin!

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili gjithashtu është një ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka marrë pjesë në tubimin protestues në Shkup, falënderoi SHBA-të, Evropën dhe NATO-n për mbështetjen që i kanë dhënë UÇK-së.

“Amerikë, NATO, Evropa, faleminderit që filozofinë dhe veprimtarinë e njerëzve më të mëdhenj të kombit tonë e keni mbështetur përmes ushtrisë çlirimtare të Kosovës, duke ndalur gjenocidin e Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës.”, u shpreh Ahmeti gjatë fjalës së tij. Fjalimi i Ahmetit ishte ai që përmbylli edhe protestën.

Sipas raportimeve, shumë qytetarë udhëtuan drejt Shkupit që në orët e para të mëngjesit, duke kaluar pikëkalimet kufitare me flamuj dhe pankarta. Disa prej tyre deklaruan se kanë marrë pjesë në të gjitha protestat e organizuara deri më tani.

Nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së është bërë e ditur se protesta ka për qëllim vetëm kërkesën për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së, duke theksuar rëndësinë e respektimit të luftës çlirimtare të popullit shqiptar.