AktualitetPolitikëTë fundit

Tabaku: Asnjë nga kontratat koncesionare nuk ofron transparencë

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku tha sot se ligji për koncesionet dhe partneritetin publik-privat lë hapësirë për korrupsion.

Tabaku duke folur në seancën në Kuvend ku po diskutohej projektbuxheti dhe paketa fiskale 2026, deputetja u shpreh se nga 12 kontrata koncesionare, 6 janë nën hetim.

“Qeveria shqiptare ka lidhur një fond total sa gjysma e Prodhimit të Brendshëm Bruto, për koncesionet dhe partneritetin publik-privat dhe gjysma e tyre janë nën hetim. Ligji i mëparshëm ka qenë ndër ligjet më të mira dhe i përafruar me standardet e BE-së, por përsëri ekzistonte hapësira për korrupsion. Ndryshimet të cilat vijnë tani, i kemi propozuar në vite si mangësi të ligjit aktual. Sot, kur diskutohet për luftën ndaj korrupsionit duke marrë parasysh hapësirat që ka dhënë ligji aktual për korrupsion, por edhe mënyrën si është zbatuar ligji aktual, duhet ta shohim si një dështim jo të disa politikave, po dështim të shtetit shqiptar”, tha ajo.

Tabaku tha se “korrupsioni është një regjim dhe për këtë qeverisje ka qenë një arkitekturë që është ndërtuar gur mbi gurë duke kapur shpresën e qytetarëve”.

“Shqipëria është një vend që i ka humbur mundësitë edhe prej luftës ndaj korrupsionit. Një në katër të rinj e ka braktisur vendin, sepse kërkojnë një sistem më të ndershëm më shumë mundësi dhe hapësira për të ushtruar talentin e tyre. Kriza e ekonomisë shqiptare nuk ka ardhur nga tregu, lufta, pandemia por nga korrupsioni. Qeveria socialiste në ligjet që ka sjellë këtu e ka lënë Shqipërinë në nivelin e një shteti të kapur”, tha Tabaku.

“Për 12 vite me radhë nuk janë mbrojtur standardet, normat, por janë shkatërruar ato. Në vitin 2023 bëra një propozim për të ravijëzuar praktikën më të mirë të BE-së me procedurat e koncesioneve dhe partneritetin publik-privat. Ligji ka problem transparencën për sa i përket prokurimeve publike-private dhe koncesioneve”, shtoi Tabaku.

Sipas Tabakut, ky ligj ruan të njëjtin standard, ku asnjë nga kontratat koncesionare të publikuara nuk ofron transparencë.

Deputetja e PD-së theksoi se “po përdoren kontratat koncesionare për pastrim parash, nuk e them unë e ka thënë raporti i Departamentit të Shtetit. Duhet të ruajmë një standard, që të zgjedhim se ku shkojnë paratë publike”.

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com