Vrasja në Rinas: Armët e gjetura në mjetin e djegur s’janë përdorur në ngjarje të tjera kriminale! Ku i siguruan ekzekutorët? Ja ç’tregoi ekspertiza
Detaje të reja dalin nga atentati mafioz me dy viktima në Rinas, ku u ekzekutuan me breshëri plumbash Gilmando Dani dhe miku i tij Muçi Shaljani, oficer i AMP-së, i cili ndërroi jetë pak ditë më vonë në spital.
Raportohet se nga ekspertiza e armëve të gjetura në automjetin e djegur të autorëve ka rezultuar se nuk janë përdorur në ngjarje të tjera kriminale.
Hetuesit ngritën dyshimet se autorët armët mund t’i kishin siguruar aty, por ekspertiza vërtetoi të kundërtën.
Ndërkohë personi i shoqëruar mbrëmjen e së martës (9 dhjetor) nga policia në lidhje me atentatin e Rinasit është liruar pasi u mor në pyetje për disa orë.
Sipas burimeve, mësohet se 35-vjeçari me iniciale B. Xh., është banor i zonës në fshatin Halil ku u dogj makina “Toyota” e autorëve.
I riu ka banesën shumë pranë ku u dogj makina, por në deklarimet e tij ka pohuar se në atë momente nuk ndodhej në shtëpi dhe në këtë formë ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen, apo të ketë parë lëvizje të autorëve të mundshëm.
Shoqërimi i tij për t’u marrë në pyetje u bë pasi më herët rezulton i dënuar për vjedhje me dhunë.
1 muaj pas atentatit, policia është përqendruar në marrjen në pyetje të personave të ndryshëm që mund të kenë dijeni, por deri në këtë fazë nuk ka autorë apo porositës të identifikuar. Në atentatin e ndodhur mesditën e 11 nëntorit u vra Gilmando Dani dhe pak ditë më vonë ndërroi jetë në spital miku i tij Muçi Shaljani. Sapo ishin kthyer nga Barcelona, kur atentatorët u zunë pritë te rrethrrotullimin i Rinasit.
Fraksion.com

