Tritol biznesit të reklamave, dëshmon pronari: Asnjë kërcënim, nuk kam probleme me askënd
Pronari i “Lufa Print” në Shkodër ku u vendos tritoli, Lulzim Mehmeti ka dhënë dëshminë e tij për policinë vendore. Mehmeti pas ngjarjes së rëndë të shpërthimit me eksploziv deklaroi se nuk ka probleme me askend dhe se nuk ka patur kërcënime apo shqetësime të tjera gjatë gjithë kësaj periudhe si dhe ka deklaruar se gjatë gjithë ditës ndodhej në banesë për shkak të një viroze.
Policia vendore e Shkodrës bashkë me prokurorinë kanë nisur hetimet intensive për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur. Eksplozivi ka tronditur të gjithë zonën aty përreth për shkak të zhurmës së fortë që ka patur edhe pse nuk ka qenë në një sasi shumë të madhe.
Efektivët kanë marrë njoftim rreth orës 22:20 për ngjarjen e ndodhur dhe menjëherë janë drejtuar drejt zonës së Ish Fermentimit ku ndodhet subjekti që u sulmua. Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë nga të cilat rezulton se dy persona që nga pamjet duke të një moshe shumë të re afrohen me motor dhe pasi hedhin tritolit pranë qepenave të “Lufa Print” largohen me shpejtësi. Autorët kanë të veshur një bluzë me kapuç dhe kanë të mbuluar fytyrën për të mos u identifikuar.

