Ina Zhupa paraqet amendament për Buxhetin 2026: Pagë e 13-të për mësuesit e arsimit parauniversitar
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa ka depozituar një amendament në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, me qëllim përfshirjen e pagës së 13-të si shpërblim vjetor i detyrueshëm për të gjithë mësuesit e sistemit arsimor parauniversitar publik.
Sipas Zhupës, ky amendament synon të rrisë motivimin profesional të mësuesve dhe të forcojë vlerësimin institucional për rolin e tyre në formimin e brezit të ri, duke e afruar Shqipërinë me standardet e vendeve europiane.
Ajo thekson se shumë shtete të BE-së aplikojnë skema të bonuseve vjetore ose pagë të 13-të për punonjësit e arsimit, si një instrument për të garantuar cilësi dhe stabilitet në këtë sektor.
Aktualisht, skema e pagave për mësuesit, pavarësisht shtesave për kualifikim dhe vjetërsi, nuk parashikon një shpërblim vjetor të standardizuar.
Sipas amendamentit, paga e 13-të do të llogaritet mbi pagën bazë vjetore të çdo mësuesi.
Zhupa argumenton se mësuesit përballen me rritjen e kostove të jetesës, ngarkesë të lartë pune jashtë orarit dhe mungesë motivimi financiar, krahasuar me kategori të tjera të sektorit publik.
Ajo shton se një shpërblim i tillë do të ndihmonte në uljen e largimeve nga profesioni dhe në zbutjen e deficitit të mësuesve në disa profile.
“Ky është një hap i domosdoshëm drejt rritjes së vlerësimit profesional të mësuesve dhe forcimit të cilësisë së sistemit tonë arsimor”, thekson deputetja.
Fraksion.com

