Berisha: Sistemi i pagave në sistemin e drejtësisë i krijuar për qëllime politike
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha reagoi sot në një konferencë për shtyp ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama për Gjykatën Kushtetuese.
Berisha dënoi atë që e cilësoi si presion i kryeministrit ndaj Gjykatës Kushtetuese.
“Dënoj me forcën më të madh presionin e Edi Ramës ndaj Gjykatës Kushtetuese”, tha Berisha.
Ai kujtoi edhe reagimin e gjyqtarëve. “Çfarë kërkuan gjykatësit? Kërkuan që të mos ndërhyhet, të mos ushtrohet presion ndaj gjykatës”, tha Berisha.
Berisha theksoi gjithashtu se Komisioni i Venecias nuk ka dhënë ndonjë këshillë të tillë dhe se praktika e pezullimit të ministrave nuk bie në kundërshtim me ligjin.
“Në shqyrtimin e nenit të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, i cili autorizon gjykatësit njëlloj si neni i Shqipërisë, të pezullojë, Komisioni i Venecias thotë se ky nen nuk bie ndesh as me Kushtetutën. Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka gjykuar se pezullimi nuk është në kundërshtim me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Dhe kjo është evidente”, theksoi Berisha.
Berisha gjithashtu kritikoi sistemin e pagave në drejtësi.
Berisha theksoi se një prokuror nuk duhet të ketë rrogë më të lartë se kryetari i Gjykatës së Lartë apo gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese: “Nuk mund ta konceptoj kurrë që një prokuror të marrë rrogë më shumë se kryetari i Gjykatës së Lartë apo Gjykatës Kushtetuese. Por ky sistem është krijuar për qëllime politike, për të shndërruar funksionarët e drejtësisë në instrumente të interesave të veçanta”.
Fraksion.com

