Aktualitet Sokol Sadushi: Nuk ka drejtësi të fortë me magjistratë të lodhur!
“Mirëqenia e magjistratit është mirëqenia e drejtësisë, dhe mirëqenia e drejtësisë është mirëqenia e shtetit.” Me këtë mesazh të drejtpërdrejtë dhe thelbësor, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, hapi fjalën e tij në Konferencën Kombëtare të Drejtësisë, duke sjellë për herë të parë në qendër të politikës publike konceptin e mirëqenies së magjistratit si themel i funksionimit të një drejtësie të pavarur dhe efektive.
“Në Shqipëri, mirëqenia e magjistratit nuk është bërë ende pjesë organike e politikave publike. Ajo mungon në analizat strategjike të institucioneve shtetërore, sepse nuk është artikuluar si prioritet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Këto organe, të cilat kanë detyrimin kushtetues të identifikojnë nevojat e sistemit dhe të ngrenë shqetësimet mbi mirëqenien profesionale të magjistratit, nuk e kanë vendosur këtë dimension në qendër të politikëbërjes së tyre. Për pasojë, kjo mungesë orientimi nuk reflektohet as në politikat e ekzekutivit, apo në dokumentet programatike të reformës. Sistemi ende nuk ka politika për menaxhimin e stresit, parandalimin e lodhjes kronike (burnout), programe të mbështetjes psikologjike apo protokolle për reagimin institucional pas ngjarjeve të rënda, që janë elementë themelorë në modelet evropiane.”, shtoi më tej ai.
Sokol Sadushi theksoi se sistemi gjyqësor nuk mund të vazhdojë të mbështetet te magjistratë të lodhur, të pambrojtur dhe të mbingarkuar, pasi kjo gjendje ka prodhuar një krizë të thellë që cenon cilësinë dhe pavarësinë e vendimmarrjes.
“Drejtësia ndërtohet me magjistratë që ndihen të mbrojtur, të respektuar dhe të motivuar. Vetëm atëherë reforma merr jetë, standardet bëhen realitet dhe drejtësia fiton besimin e qytetarëve. Nëse duam vendimmarrje të pavarur, duhet të garantojmë më parë kushtet që e bëjnë të mundur këtë pavarësi. Prandaj duhet ta pranojmë qartë: barrën e sistemit e mban magjistrati. Ai është qendra e drejtësisë, jo në teori, por në realitet. Nuk ka drejtësi të fortë me magjistratë të lodhur; nuk ka drejtësi të pavarur me magjistratë të pambrojtur; nuk ka drejtësi të besueshme me magjistratë të lënë vetëm.”, shtoi Sadushi.
Sadushi ndaloi veçanërisht te roli i KLGJ-së dhe KLP-së, të cilat, megjithëse me detyrime të qarta kushtetuese, nuk e kanë vendosur mirëqenien e magjistratit në qendër të politikëbërjes, duke e thelluar boshllëkun institucional.
Me tone të qarta përgjegjësie, Sadushi theksoi se Qeveria dhe Kuvendi kanë detyrimin kushtetues të garantojnë siguri reale në gjykata, infrastrukturë funksionale dhe burime njerëzore të mjaftueshme, duke nënvizuar se: “Shteti nuk mund të kërkojë drejtësi me standarde europiane, pa investuar.”
Në përmbyllje, Kryetari i Gjykatës së Lartë përsëriti mesazhin themelor të vizionit të tij: “Drejtësia ka nevojë për një kulturë të re institucionale, ku siguria është standard, mbështetja është detyrim, mirëqenia është pjesë e pavarësisë dhe karriera e drejtë është parim. Vetëm kështu ndërtohet një sistem i qëndrueshëm dhe një shtet i fortë
Fraksion.com

