Kosova kërkon nga BE-ja heqjen e masave
“Pavarësisht bashkëpunimit konstruktiv, vazhdimi i masave të BE-së ndaj Kosovës mbetet i pashpjegueshëm, i padrejtë dhe i paarsyeshëm. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani kërkoi mbështetjen e z. Terras për heqjen sa më të shpejtë të këtyre masave, duke rikujtuar se ato dëmtojnë qytetarët dhe minojnë besimin në procesin e integrimit, teksa Kosova ka përmbushur çdo kërkesë të paraqitur nga partnerët evropianë”, thuhet në njoftim.
Transferimi i pushtetit
Transferimi i pushtetit lokal në mënyrë paqësore u bë edhe në katër komunat në veri të Kosovës, në të cilat që nga java e kaluar udhëheqin kryetarët lokalë nga komuniteti serb, të përfaqësuar përmes Listës Serbe të zgjedhur në zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Ishte pikërisht situata e tensionuar në veri pasojë që Kosova sipas autoriteteve ndërkombëtare u vu nën masa sanksionuese të BE-së, për shkak të siç thuhej veprimeve të pakoordinuara të qeverisë së Kosovës. E tash sipas Presidentes Osmani, e cila nuk flet specifikisht për veriun, “heqja e masave do të ishte një sinjal i fuqishëm për qytetarët dhe një mesazh inkurajues për vazhdimin e reformave”.
“Presidentja Osmani shtroi nevojën që kërkesa e Kosovës për anëtarësim në BE të procedohet sa më parë dhe që anëtarësimi të bëhet në bazë të meritave”, thuhet në njoftimin e Presidencës duke prezantuar, siç thuhet, “një sërë të dhënash të institucioneve ndërkombëtare që e pozicionojnë Kosovën në majat e performancës në shumë fusha kyçe”.
Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, njoftoi për vizitën në Prishtinë të raportuesit për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras dhe tha se “angazhimi i BE-së me Kosovën mbetet i fortë, me mundësi të reja përpara”.
“E mirëprita këtë mëngjes në Prishtinë Riho Terras, raportues për Kosovën në Parlamentin Evropian, para takimeve të tij me shumë bashkëbisedues. Angazhimi i BE-së me Kosovën, si në nivel lokal ashtu edhe nga Brukseli, mbetet i fortë si gjithmonë, me mundësi të reja në horizont, përfshirë Planin e Rritjes”, shkroi Orav në platformën X.
BE nuk do të heqë sanksionet para zgjedhjeve
Bashkimi Evropian një ditë më parë, shprehu gatishmëri që të angazhohet për heqjen e masave ndaj Kosovës, pasi të formohet qeveria e re, pas zgjedhjeve të përgjithshme të 28 dhjetorit. Gazeta lokale Koha Ditore, citon një zëdhënës të BE-së i cili thotë se “Komisioni pret që Kosova të rikthehet në trajektoren e reformave të domosdoshme dhe të avancojë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë – dy kushte thelbësore për përparim drejt BE-së”.
“Siç është thënë më herët, ne synojmë t’i heqim më tej këto masa. Ne e mirëpresim dorëzimin e qetë të administrimit lokal në 4 komunat veriore dhe presim që kryetarët e rinj të përfaqësojnë interesat e të gjithë qytetarëve. BE-ja është e gatshme të punojë me autoritetet e Kosovës sapo ato të zgjidhen dhe të vazhdojë të mbështesë Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së”, citohet një zëdhënës i BE-së.
Sidoqoftë, kriza politike dhe institucionale mbi nëntë muajshe në Kosovë, pa qeveri me mandat, pa parlament dhe një cikël të ri zgjedhor në fund të dhjetorit, ka bllokuar ratifikimin e Marrëveshjes me Bashkimin Evropian për Planin e Rritjes, Marrëveshjes së Facilitetit dhe Marrëveshjes së Huasë. Plani i Rritjes së BE-së përmban një paketë prej 6 miliardë eurosh për të përkrahur përafrimin e ekonomive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor me standardet evropiane.
Nga kjo paketë, Kosova mund të përfitojë mbi 880 milionë euro, por mosratifikimi në Parlamentin e Kosovës i marrëveshjes me BE-në ka bërë që Kosova të mos marrë asnjë qindarkë ende nga kjo shumë./DW
Fraksion.com

