Deklaratat e Ramës për Ballukun, reagon Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve: Presion politik ndaj veprimtarisë gjyqësore
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama, në lidhje me çështjen ‘Balluku’. Ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, po hetohet nga SPAK për ‘shkelje të barazisë në tendera’ për Unazën e Madhe dhe për tunelin e Llogarasë, ndërkohë që GJKKO e pezulloi atë nga detyra.
Pas këtij vendimi, kryeministri veproi duke kundërshtuar vendimin, ndërsa e çoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese.
Në reagimin e Shoqatës së Gjyqtarëve, çdo deklaratë në lidhje me çështjet e gjyqësorit, është presion politik.
Shoqata rithekson se ndarja dhe balancimi i pushteteve është një nga parimet themelore të demokracisë, prandaj pavarësia e pushtetit gjyqësor, arbitrit final për zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve, përbën një gur themeli për ndërtimin e shtetit të së drejtës. Kjo pavarësi vihet në rrezik jo vetëm nga veprime konkrete që synojnë kufizimin e sferës së kompetencave të këtij pushteti, por edhe nga çdo akt ose deklaratë që perceptohet si kërcënim ose presion politik ndaj veprimtarisë gjyqësore apo që ul reputacionin e organeve të drejtësisë në sytë e publikut dhe, në këtë mënyrë, minon besimin e tij tek këto organe. Komisioni Evropian ne raportet për Shqipërisë ka adresuar si shqetësim vazhdimin e përpjekjeve te ndërhyrjes dhe presionit ndaj sistemit gjyqësor nga zyrtarë të lartë publikë dhe politikanë.
Gjyqtarët janë të pavarur dhe i nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve e si të tillë qëllimi i misionit të tyre nuk është fitimi i pëlqimit të shumicës së publikut apo një pjese të tij, por zbatimi me fanatizëm i vullnetit të sovranit të shprehur në këto akte. Vendimet gjyqësore mund të jenë të papëlqyeshme për disa subjekte, por kjo nuk i bën ato ilegjitime, pasi sistemi demokratik i qeverisjes vepron brenda kufijve që i përcaktohen nga standardet e shtetit të së drejtës dhe zbatuesit finalë të këtyre standardeve janë gjyqtarët. Në këtë kuadër, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë fton dhe i kërkon secilit zyrtar të lartë të dy pushteteve të tjera që të respektojë pavarësinë e gjyqtarëve në vendimmarrjen e tyre dhe të distancohet nga çdo sjellje që e cenon atë. Ndërhyrja në veprimtarinë e gjyqtarëve gjatë zhvillimit të procedurave gjyqësore përbën formën më të rrezikshme në shkeljen e parimit të ndarjes së pushteteve, pasi ka si qëllim deformimin e vendimmarrjes nëpërmjet formave të ndryshme të presionit.
Fraksion.com

