AktualitetPolitikëTë fundit

Berisha: Dialog intensiv me shqiptarët, të përgatitemi për protesta të fuqishme

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së sotme të grupit parlamentar u shpreh se situata aktuale kërkon reagim të gjerë qytetar dhe paralajmëroi nisjen e protestave masive.

Sipas tij, vetëm qytetarët mund të sjellin ndryshimin.

“Unë e theksoj se do të jenë vetëm qytetarët shqiptarë ata që do japin shtytjen e fundit, ata që do të shpëtojnë vendin nga ky regjim,” u shpreh ai.

Duke folur për situatën politike dhe institucionale, Berisha theksoi se opozita duhet të intensifikojë kontaktet me qytetarët.

“Ne, në një dialog intensiv me shqiptarët, duhet të përgatitemi, sepse Edi Rama nuk largohet pa angazhimin total të qytetarëve shqiptarë”, u shpreh ai.

Në mbyllje, ai paralajmëroi mobilizim të gjerë.

“Duhet të përgatitemi për protestat më të fuqishme që ka njohur vendi”, tha Berisha.

Duke u ndalur tek pezullimi nga GJKKO i zv/kryeministres Belinda Balluku dhe dërgimi i çështjes në Gjykatën Kushtetuese, Berisha theksoi se qeveria po tenton të ndikojë proceset në drejtësi dhe kritikoi dërgimin nga Kryeministri të vendimit në Gjykatën Kushtetuese.

“Sikurse e shihni, kërkon të bllokojë atë minimum drejtësie që mund të ketë mbetur. Çon në Gjykatën Kushtetuese një vendim gjykate për korrupsion, gjë që nuk ndodh”, tha ai.

Duke iu referuar deklaratave të kryeministrit, Berisha kundërshtoi se Komisioni i Venecias ka dhënë opinion se ministrat nuk mund të pezullohen.

“Në asnjë opinion të Komisionit të Venecias nuk thuhet se ministrat nuk mund të pezullohen. Pezullimi është konsideruar në përputhje me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut”, theksoi ai.

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com