AktualitetPolitikëTë fundit

Berisha: 8 dhjetori i vitit 1990, ditëlindja e lirive të shqiptarëve

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha kujtoi sot lëvizjen studentore të dhjetorit 1990, ndërsa u shpreh se 8 dhjetori i atij viti mbetet një prej datave më të shënuara në historinë e lirisë së kombit shqiptar.

Në Ditën e Rinisë, në Qytetin Studenti u organizua sot një aktivitet për të kujtuar figurën e liderit të Dhjetorit, Azem Hajdari, si edhe studentëve, pedagogëve, punëtorëve dhe të rinjve që u vunë në krye të Lëvizjes për Ndryshim, Shpresë dhe Liri.

Berisha vlerësoi rolin e jashtëzakonshëm që luajtën të rinjtë në dhjetor të vitit 1990, në historinë e lirisë së shqiptarëve.

“Si sot, 35 vite më parë, me 8 dhjetor të vitit 1990, studentë të Universitetit të Tiranës dhe shkollave të tjera të larta, të udhëhequr nga tribuni i lirisë, Azem Hajdarin, nisën protestat, revolucionin demokratik, i cili si një uragan i vërtetë në tri ditë ndau epokat dhe vendosi në vendin më monist të planetit, pluralizmin politik”, tha Berisha, ndërsa u shpreh se “për shqiptarët në Shqipëri, 8 dhjetori i vitit 1990 është ditëlindja e lirive të tyre”.

Kreu i PD-së theksoi se Azem Hajdari ishte tribuni i lirisë dhe studentët e dhjetorit ishin heronjtë e vërtetë.

“Ata u ngritën për të përmbysur diktaturën komuniste më të egër të kohës. Studentët e dhjetorit 1990 ishin misionarë të paepur, të pamposhtur, pararendës të një ndryshimi epokal në historinë e kombit dhe vendit të tyre, të cilët që në protestën e parë shpallën si moto të revolucionit të tyre, liri dhe demokraci, Shqipëria si Europa”, tha ai.

Berisha tha se revolucioni demokratik që nisi më 8 dhjetor me shpejtësi do të shndërrohej në lëvizjen më të fuqishme paqësore në historinë e Shqipërisë.

“Në një hark kohor prej 72 orësh, me mbështetjen e fuqishme tanimë të intelektualëve dhe të qytetarëve të Tiranës, do ngadhënjente mbi regjimin komunist dhe do t’i impononte atij pranimin e pluralizmit politik në Shqipëri dhe do themelonte partinë e parë opozitare në historinë e pasluftës, Partinë Demokratike të Shqipërisë”, theksoi ai.

Berisha tha se Azem Hajdari dhe studentët liberatorë do të mbeten të pavdekshëm në panteonin e lirisë së kombit shqiptar, përgjithmonë.

Lëvizja Studentore e vitit 1990, sipas Berishës, hodhi themelet e lirisë dhe ndërtimit të shoqërisë së lirë në Shqipëri.

“Kjo lëvizje, çështjen kombëtare e vendosi në piedestalin e merituar për zgjidhjen e saj. Idealet e rinisë studentore të dhjetorit 1990 ishin dhe mbeten idealet më të larta, më fisnike njerëzore dhe kombëtare shqiptare. Këto ideale, energjia e tyre i bëri shqiptarët më të lirë se kurrë. U riktheu atyre dinjitetin e munguar njerëzor. Vendosi në Shqipëri pluralizmin e vërtetë politik, sistemin demokratik. Anëtarësuan Shqipërinë në Këshillin e Europës, në NATO, i dhanë asaj propozimin për statusin e vendit kandidat në BE”, tha Berisha.

Kreu i PD-së shtoi se “sot, në Ditën e Rinisë, më 8 Dhjetor, Edi Rama vjen si armiku më i egër i të rinjve shqiptarë në tërë historinë tonë. Edi Rama, me ndihmën e Xhorxh Sorosit, bëri gjithçka për një Shqipëri pa opozitë, pra për të varrosur përfundimisht pluralizmin politik dhe idealet e dhjetorit 1990. Por dështoi, sepse ato ideale janë të pavdekshme, ato frymëzojnë sot çdo opozitar shqiptar, çdo të ri shqiptar të qëndrojë me guxim në mbrojtje të lirisë dhe dinjitetit të tyre”.

Në këtë aktivitet mbajti fjalë edhe djali i Azem Hajdarit, i cili tha se mirënjohja ndaj heronjve të Lëvizjes Studentore është një detyrim moral për çdo shqiptar, duke lidhur të shkuarën e sakrificës me të tashmen e lirisë, për studentët, pedagogët, punëtorët dhe të rinjtë që u vunë në krye të Lëvizjes për Ndryshim, Shpresë dhe Liri.

Azem Hajdari i Riu u shpreh se liritë e thjeshta që gëzojmë sot, nga shkollimi, te muzika që dëgjojmë, mënyra se si vishemi, apo liria për të zgjedhur, janë fryt i një gjakderdhjeje dhe sakrifice sublime të bërë nga një brez studentësh që guxuan të dilnin përpara tankeve të regjimit komunist.

Në përfundim ai u bëri thirrje të rinjve që të marrin në dorë fatet e vendit, jo për interesa personale, por për të ardhmen e fëmijëve dhe nipërve të tyre, duke siguruar kështu vazhdimësinë e idealeve të Dhjetorit ’90.

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com