Tatimet thonë se kanë zbuluar 10 milionë euro të ardhura të padeklaruara në tre subjekte blegtorale
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton se ka vijuar kontrollet intensive për formalizimin e tregut dhe rritjen e sigurisë ushqimore, duke theksuar se çdo shkelje e ligjit tatimor do të trajtohet me vendosmëri.
DPT bën të ditur se, pas denoncimit të një qytetari dhe analizës së të dhënave tatimore, u ngrit dyshimi i arsyeshëm se disa biznese deklaronin shumë blerje dhe pak shitje, skemë e pastër e evazionit.
Drejtoria Hetimore në bashkëpunim me Task Forcën e terrenit ndërhyri në ambientet e tre subjekteve që tregtojnë dhe importojnë kafshë të gjalla në Fier, Kavajë dhe Kukës.
Gjatë inspektimit u konstatua mos instalimi i sistemit të fiskalizimit dhe mos afishimi i listës së çmimeve, shkelje që tregojnë fshehje të të ardhurave.
Për të analizuar dokumentacionin dhe situatën, u sekuestruan dy njësi kompjuterike, të cilat tregojnë se tre subjektet kanë fshehur rreth 10 milionë euro të ardhura të padeklaruara në sistemin tatimor.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bën thirrje për respektimin e ligjit dhe lëshimin e faturave nga të gjithë tatimpaguesit, si dhe njofton se kontrollet do të vijojnë, bazuar në denoncimet e qytetarëve dhe kritere të riskut, me qëllim uljen e informalitetit dhe mbrojtjen e konsumatorëve.
Fraksion.com

