“Shqiptarët e dinë kush kërkon asgjësimin e SPAK”, Lamallari: Viti i ardhshëm shënon një moment të rëndësishëm në historinë e shtetit
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari u shpreh sot në seancën plenare të Kuvendit se Reforma në Drejtësi është mbështetur dhe vënë në jetë prej Partisë Socialiste dhe se po punohet për forcimin e standardeve dhe institucioneve të drejtësisë.
Duke replikuar me deputetë të opozitës, Lamallari tha mes të tjerash se qytetarët shqiptarë e dinë kush kërkon asgjësimin e SPAK dhe kush anatemon institucionet e reja të drejtësisë.
“Viti i ardhshëm shënon një moment të rëndësishëm në historinë e shtetit shqiptar. Plot dhjetë vite nga miratimi i Reformës në Drejtësi, një nismë kombëtare e cila i dha jetë institucioneve të reja të drejtësisë. Përveçse një nevojë ulëritëse kombëtare për më shumë drejtësi, reforma, me gjithë kundërshtitë, përpjekjet për ta bllokuar dhe efektet e pritshme ka padyshim një rol të veçantë në të ardhmen e afërt të një vendi dhe populli evropian, i cili sot më shumë se kurrë sheh se “Shqipëria si gjithë Europa” nuk është më një thirrje utopike pas kolapsit të një regjimi shtypës dhe dëshpërimit që pasoi nga një tranzicion sfilitës dhe zhgënyes!”, tha Lamallari.
Lamallari theksoi se “qenia vend kandidat sot me të gjithë grup-kapitujt e negociatave të hapura me Bashkimin Evropian, është falë dhe përparimit të shënuar nga zbatimi i Reformës në Drejtësi”.
Lamallari vijoi replikën duke theksuar se qytetarët e dinë shumë mirë se kush e kundërshtoi me çdo mjet dhe mënyrë reformën.
“Është PS dhe kjo qeveri që është e vendosur të mbështesë me çdo kusht konsolidimin e saj. Shqiptarët e dinë shumë mirë se kush kërkon asgjësimin e SPAK-ut. Çdo ditë ne punojmë për forcimin e standardeve dhe institucioneve të drejtësisë sipas praktikave më të mira europiane duke përfshirë rishikimin e Kodit Penal dhe rishikimin e Kodit të Procedurës Penale”, theksoi Lamallari.
“Shqiptarët e shohin çdo javë se si të hënave shënjestrohen me emër dhe mbiemër prokurorët e SPAK dhe ngryset java me euforinë e mjerë kur subjektet e hetimit janë kundërshtarët politikë. Ne flasim për standarde, ju flisni për kallëzime dhe të pandehur edhe pse atë e keni në ballin tuaj. Ju mund të silleni sikur parimet kushtetuese të mos ekzistojnë, por ju e dini mjaft mirë prej 4 legjislaturash tashmë, se rotacioni politik vendoset me verdiktin popullor në kutitë e votimit dhe jo me vendime gjykatash”, përfundoi ministri i Drejtësisë.
Fraksion.com

